Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Për kë bien këmbanat?

3 min read

Shkruan: Latif Latifi

Rezultati i zgjedhjeve të fundit lokale duhej të ishte alarm jo vetëm për anëtarin më të rëndomtë të Aleancës për Shqiptarët, por edhe për strukturat që kishin përgjegjësin e organizimit të zgjedhjeve duke filluar nga shtabi zgjedhor e deri te kryetari i partisë. Që nga ajo kohë e gjer tani, kanë qenë ditët më të rënda për të gjithë ne në Aleancë.

Prandaj, këto ditë të para kongresit duhet të ishin reflektim dhe assesi improvizim të gjendjes në parti.
Mungesa e dorëheqjeve dhe bartja eventuale e përgjegjësive duhej të ishte kompensuar me punë dhe reformë brenda partisë.
Aleanca ka shumë profile e personalitete që ia kthejnë besimin e vlerën këtij subjekti politik, por ata persona nuk duhet të pranojnë që përmes improvizimeve të ‘sanojnë’ gjendjen, andaj ata që shkaktuan këtë termet në Aleancë duhet të rrinë larg procesit të reformave. Koha është që njerëzit të cilët e shohin partinë si aset kombëtar të mblidhen dhe të ofrojnë platformë e reformë rrënjësore.

Kur po them reformë, nuk po flas vetëm për emra të ri ose mosha të reja, këtu po flas për reformë më shumë në kuptimin e mendësisë së funksionimit të partisë. Një parti e cila është e vërtetë që e ka bazën e krijuar nga njerëzit që kanë patur guxim që kanë dalë fitues në disa cikle zgjedhore, mund edhe të fitojnë dhe të sjellin ndryshimin.
Është për keqardhje që nga kryetari aktual nuk ka pasur vullnet dhe qasje racionale politike e të dialogut të mirëfilltë që do të evitonin skenat dhe përplasjet e shpërfaqura brenda partisë.

Tendenca e kryetarit që këto zëra, përfshirë edhe debatin e brendshëm demokratik brenda Aleancës t’i shohë dhe interpretojë si të ndikuara e shkaktuara nga faktorë të jashtëm, duke iu shmangur trajtimit dhe zgjidhjes së tyre, vetem sa e ka ndare përfundimisht këtë kryetar të Aleancës nga strukturat partiake, nga anëtarësia dhe vullneti i saj programor.
Reagimet e fundit të anëtarësisë kanë adresuar saktë dhe me të drejtë përgjegjësinë për këtë gjendje të rëndë brenda Aleancës për Shqiptarët, tek një pjesë e udhëheqjes së kësaj partie me në krye kryetarin e saj.

Injorimi i këtyre thirrjeve dhe reagimeve të anëtarësisë bartë në vete rrezikun e një përshkallëzimi të brendshëm në Aleancë, deri në braktisje masive të anëtarësisë prej saj, edhe për shkak se vendimet e shumta të lidershipit haptas bien ndesh me vullnetin e anëtarësisë, por edhe me vetë deklarimet e këtij kryetari gjithandej. Në këtë kontekst, gjuha kërcënuese e linçuese e kryetarit dhe një pjese të lidershipit të Aleancës ndaj zërave kritik, në parti, si një vlerë e përhershme brenda Aleancës kanë shkaktuar shqetësim dhe brengosje të madhe te anëtarësia e gjerë.

Prandaj, përfundimisht është koha për të ndalur rrënimin e mëtejmë të Aleancës, që më veprimet e tilla duket si mision për ta prishur atë nga vetë kryetari që e ndërtoi! Kryetari dhe klientela e tij e instaluar në struktura drejtuese të partisë, janë mbyllur në një rreth të ngushtë duke shërbyer dhe shpërblyer njëri tjetrin.
Prandaj, është koha që të gjithë bashkarisht të marrim përgjegjësi konkrete për të mos lejuar shkatërrimin e mëtejmë të Aleancës.

Meqë kriza është serioze, asaj i duhen me urgjencë reformat dhe ndryshimet në lidershipin e saj duke përfshirë hapjen ndaj njerëzve me vlera që ka brenda vetës, personaliteteve të rëndësishme e intelektualëve të dëshmuar dhe në veçanti ndaj të rinjve që janë potenciali më premtues i Aleancës!
Është koha për hapa konkretë. Urgjentisht duhet hapur dialogu dhe debate i vërtetë, kritik e i sinqertë brenda anëtarësisë për ta shpëtuar në orën e fundit këtë forcë politike.