Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

RRUGËS PËR NË OHËR

4 min read
Loading...

Shkruan: Linda Karadaku

U nisa për në Ohri të premten me mendjen mbrapa se të shtunën ishte protestë e madhe dhe gocën e kisha lënë në Tiranë. Goca ka provime se ndryshe do ta kisha marrë me vete, për të mos ndenjur në ankth se mos ndodh ndonjë gjë. E kam jetuar edhe 97’-tën, edhe 98’-tën, edhe ca shumë të tjera brenda dhe jashtë Shqipërisë, para dhe pas këtyre viteve të errët. Dhe si unë ka shumë! Nëna dhe baballarë me fëmijë që nuk hapin dot televizorin se dalin pamjet e Gazës apo të një episodi në parlamentin e vendit fqinjë, Maqedonisë së Veriut. Ndryshimi është se ne jemi të gjithë shqiptarë dhe po luftojmë me veten.!

Dhe nuk është hera e parë dhe kam frikë që nuk është as e fundit! Sepse ne na kanë mësuar tashmë të jetojmë sic thoshte Enver Hoxha, “si në rrethim,” gati për luftë atëherë, tani gati për sherr; gati për t’i vënë kazmën atëherë kishave dhe xhamive, tani institucioneve dhe parlamentarizmit. Sepse ne na kanë mësuar të mos respektojmë dhe të mos duam asgjë që nuk është brenda gardhit tonë dhe që nuk është pronë individuale por e përbashkët. Sepse ne na kanë mësuar që cdo gjë është e mundur për të bërë keq, por pothuaj e pamundur për të bërë mirë. Sepse ne na kanë rritur në breza të tërë me ndjesinë e pandërgjegjshme që pasiguria është siguri, që jo-normalja është normale, që marrëzia është interesante dhe anti-vlera është vlerë.

Ne vazhdojmë të sillemi sikur ky vend na ka borxh gjithë ciklin tonë të budallëkut, marrëzisë, ligësisë, krimit, shfrytëzimit, turpit, banditllëkut, shkatërrimit. Ne vazhdojmë të sillemi sikur ky vend ka vetëm budallenj që e hanë sapunin (15-lekësh dikur) për djathë dhe nuk kuptojmë që e kemi trajtuar shtetin si një lopë të shkretë që vetëm e mjel dhe kur të mbushet mendja që lopa nuk po jep qumësht, sigurisht për ty, jo për popullin, i vë zjarrin. Ne kuptojmë që ata nuk kuptojmë që ne mund të jemi gjitchka, por vetëm budallenj jo!

Ne e dimë që nuk ka politikanë të rinj, as në moshë, as në mendësi. Ata që janë të rinj në moshë janë po aq të vjetër sa të tjerët në mendësi. Dhe cikli është i mbyllur! Sepse ata që vërtetë e duan këtë vend dhe kanë ende ndonjë lloj idealizmi, pak apo shumë, nuk kanë asnjë mundësi të ngjiten në kupolën e shtetit. Sepse shteti është bërë pronë e Ca qindrave që nuk lënë njeri të afrohet të lopa që duhet mjelë. Dhe taborret për fat të keq janë ndarë: shumica vuan, punon dhe përpiqet të mbijetojë duke bërë të vetmen gjë që e lejojnë të bëjë, të mbledhë bar për lopën që vjelin politikanët në të gjitha nivelet dhe në të gjitha pozicionet, në pushtet dhe opozitë, këtu e 100 vjet e më shumë. Dhe kjo mbledhja e barit bëhet njësoj si në pushtet si në opozitë. Kur janë në pushtet, na shtojnë taksat, na lënë pa punë, na marrin edhe qindarkën e fundit, thjesht na vjedhin si dhe sa të munden. Kur janë në opozitë na nxjerrin në rrugë, mundësisht të lëmë edhe kokën, në mënyrë që ata të kenë mundësi të rimarrin në dorë procesin e mjeljes së lopës.

Dhe gënjejnë hapur, pa iu dridhur qerpiku fare, sikur të kishin para vetes një turmë amorfe që i bën hosanna gjithckaje që thonë, premtojnë pa fund dhe mbi të gjitha, na tregojnë me lot e pa lot sa shumë iu dhimbset Shqipëria jone. Ironi e fatit tonë të mjerë si popull! Sikur qoftë edhe njëri prej tyre ta kishte dashur sapo pak këtë vend, vërtetë, sot nuk do të ishim kështu. Politika jonë, me të gjitha ngjyrat dhe fjalorët, vazhdon të na mbajë si në rrethim, duke lënë vetëm një mundësi, të cash ferrën (rrethimin) dhe të ikësh nga sytë-këmbët. Por falë Zotit, që në këtë vendin tonë të shkretë, ka ende njerëz kokëfortë, që e duan Shqipërinë, që e kanë ndarë mendjen të rrinë këtu, ku bukës i thonë bukë dhe ujit ujë, dhe të mos ikin! Të mos ikin dhe të vazhdojnë të përpiqen, të ëndërrojnë dhe të rindërtojnë thërrime-thërrime atë që politika jonë ka shkatërruar dhe shkatërron cdo sekondë. Ndërkohë, politikanët tanë po mundohen të shqyejnë njëri-tjetrin. Amen! Ashtu qoftë! Ne na mbetet vetëm të ndërrojnë orën e historisë, duke thënë jo “Rama ik,” por politikanë shkatërrimtarë dhe të pabesë, ikni, të gjithë bashkë, mundësisht në një ditë! Ikni dhe na lini në të drejtën tonë për ta bërë Shqipërinë, pa ju, që nuk e deshët atë asnjë ditë të vetme në jetët tuaja!