VALLË, A U SHKRUMBUA EDHE NJERZILLËKU?!

vull

Bashkim Aliu

Të pafuqishme janë fjalët dhe i varfër është fjalori i gjuhës, sado që duket voluminoz si botim, për ta shprehur dhimbjen për tragjedinë më të rëndë që ka goditur ndonjeherë Tetovën, qytetin e studentëve, universiteteve, dashamirëve të shkencës, artit e kulturës , Xhamisë së Larme dhe sa e sa vlerave tjera. Por, edhe më e kobshme se kjo tragjedi do të ishte nijeti i disave qe të tentojnë ta ulin tensionin e popullit, përmes kohës, e cila, thuhet se i shëron plagët, zvarritjes së rastit në kuloaret gjyqësore, semundjeve fiktive, herë të gjykatesit, herë të avokatit e herë të dëshmitarëve e të akuzuarëve. Po edhe më keq dhe me e dhimbshme, do të ishte nëse kjo tragjedi do të shiheshte me syzat juridike të prokurorit republikan Ljubomir Jovevski, siç shprehet vetë ai, i cili për rastin e njohur të vrasjes së vogëlushit Almir Aliu në Kumanovë, para kamerave dhe syve të njerezve, në pikë të ditës, tha se është aksident komunikacioni, e jo vrasje me qëllim, me çka rasti mori kahje tjetër. Mos dhashtë Zoti që syzat e këtij matufi, që nuk profilizojnë tjetër, pos një racist tipik, ti bart edhe gjykatësi e prokurorët e rastit të djegies së spitalit modular në Tetovë.
Temat e dhimbshme, si kjo e spitalit modular të Tetovës, nuk mund të shmangen, sado që të kerkohet dhe të apelohet për maturi dhe kujdes, ngase maturia dhe kujdesi, në fjalorin e disave, përkthehen si neglizhencë dhe llogari elektorale, ngjarjet shihen nga këndi i numrave të votave dhe sondazheve, e jo humbjes së qenies më të dalluar që Zoti e krijoi në tokë-njeriut. Nuk eshte normale te mendohet se dikush e sheh njeriun si numër, por ja që ndodhitë çojnë në këtë përfundim, megjithëse besoj se zjarri që shkrumoi për së gjalli pacientë të sëmurë nga Covid-19, do tua djeg shpirtin atyre që kanë përgjegjësi për këtë tragjedi. Kjo gjëmë e rëndë që mbuloi në zi familjet që humbën më të dashurit, do tua haje shpirtin atyre që detyrën e kanë pare si rast për t’u fryrë, e jo për të treguar përkushtim dhe dinjitet.
Fatkeqësi ndodhin gjithandej, por mënyra se si trajtohen këto në republikën e mjerimit, garanton një fazë të qetë deri në morten e radhës, për çka nuk duhet stresuar, ngase gjithsesi do të vjen. Një gjyqësor i korruptuar deri në palcë, prokurorë të kapur që duhet të ta qepin rastin sipas masave të shefave, dhe të përgadisin raporte të zymta që as fëmijëve nuk u pëlqejnë si përralla për ti zënë gjumi, ngase tash kanë mënyra tjera më të përshtatshme, ofron vetëm spektakle të trishta, morte dhe mjerim, aeroplana dhe autobusa të mbushur për në mërgim, dhe radhë të gjata para ambasadave për viza pune për në Gjermani. Kur jemi këtu te vizat e punës, më duhet të potencoj se kanë të drejtë kur lavdërohen se papunësia në RMV ka rënë në nivelet më të ulta deri më tash, ngase i kanë punësuar në Gjermani.
Të pushtetit thonë se nuk është kohë dorëheqjesh, por kohë e ballafaqimit me sfida. Po, ashtu është, dhe sfida është që mos i thoni popullit tuaj “popull i dashur” vetëm në mitingje zgjedhore, e pastaj ta leni në baltë dhe të shihni si digjet i gjallë. Po, sfida është mos e detyroni të sëmurët e popullit tuaj “të dashur”, ti blejnë vetë ilaçet, fashat, injeksionet, e bile edhe termometrin për matjen e temperaturës, pasi, thoni se spitali nuk ka. Po, sfida është që spitalit t’i siguroni shtretër jastëk për pacientë dhe mbulesa të pastra, e jo vetura luksoze me xhama të zinj për zyrtarët. Po, sfida është që spitalet do të duhej të ishin të pajisura me sisteme alarmi dhe me mjete të domosdoshme për shuarjen zjarreve, e jo të lehen pacientët e ngratë të digjen të gjallë. Pastaj, thuaj dikuj të shkojë në spital. Sfida është që të kishit ndërtuar për të gjitha këto vite infrastrukturë të duhur të spitaleve dhe institucioneve tjera, në veçanti, të shkollave, e jo ti leni në gjendje të mjerueshme, për t’i vajtuar. Për fat të keq, në repartin e sëmundjeve infektive në spitalin klinik të Tetovës më tepër ke mundësi të infektohesh, se sa të shërohesh. Në Evropë, ku pushtetarët e kanë gojën plotë se duan të shkojnë, reparti i sëmundjeve infektive në spitalin e Tetovës, nuk jam i sigurtë nëse do të ishte çertifikuar si depo, mos them si WC. Por, si duket, EU e ka kuptuar se pushtetarët e duan atë, aq sa e duan popullin e tyre “të dashur” të mitingjeve. Kjo dashuri, nuk është me tepër se elektorale. Sfida është që të sëmurëve t‘u siguroni tretman njerëzor, e jo të detyrohen të dalin të hanë ushqim jashtë spitalit, se ai i spitalit të bën të vjellish. Po, sfida është mos lejosh të parkohen vetura vend e pa vend, brenda hapësirës së spitalit, ashtu që mos të mund të arrinë zjarrfikësit në kohë….Sfida e sfida ka sa të duash.
Sfida është që popullit tuaj “të dashur” ti ndihmoni mos infektohet duke pritur në radhë dhe duke u grumbulluar për një çertifikatë dhe pasaport, e jo ti leni në temperaturë +40 gradë, me femijë, gra dhe pleq, të digjen në diell duke pritur për t’u fotografuar për një dokument, që në Evropë, ku doni të shkoni, merret me postë, pa pritur në radhë. Kjo tollovi dhe ky kaos shkaktohet pikërisht nga funksionerët që bërtasin e thirrin me zë të lartë „popull i dashur”, por vetëm në mitingje, që pastaj ta zhvatin dhe plaçkisin të njejtin popull të dashur. Sfida është që të gjykoni me drejtësi, e jo të afërmit e pushtetarëve të popullit “të dashur” të mitingjeve, ti detyrjne policët, hetuesuit dhe organet tjera, ti ndryshojnë procesverbalet dhe fajtorin ta shpallin te pafajshëm, e të pafajshmin, fajtor. Këtë e dinë të gjithe, nuk është risi dhe as fshehtësi.
Në asnjë mënyrë nuk pretendoj se fajtor është dikush konkret, ngase nuk e di dhe nuk ka posedoj mekanizma ta zbuloj dhe as që është kompetencë e imja. Po ashtu, nuk pretendoj se nuk ndodhin edhe në vendet tjera raste të këtilla. Por, ajo që më shqetëson mua si qytetar dhe qytetarët tjerë është se në republiken e dallavereve dhe mjerimit, rastet ngelin pa epilog, për dallim prej vendeve ku shteti është shtet, e jo si që thuhet në gjuhët sllave „shteta“ (dëm dhe keq). Por jo vetëm kaq, që është edhe më e keqja, shumë ngjarje me pasoja tragjike jo vetëm që nuk janë zbardhë, dhe jo vetëm që nuk janë dënuar fajtorët, por edhe janë shtrembëruar dhe tjetërsuar, ashtu që në fund, faji ngelet jetim. Këtë e bëjnë pikërisht institucionet, e jo qytetarët. Firma është e institucioneve. Derisa nuk ka llogaridhënie dhe epilog të drejtë të rasteve, nuk ka edhe perspektivë.
Përgjegjësia mishërohet më së miri në fjalët dhe veprat e kalifëve të parë muslimanë. Jo vetëm njëri, por të gjithë, lirisht mund të identifikohen me thënien e përcjellur: „Frikohem se Zoti do të më marrë në përgjegjësi në Botën Tjetër, nëse edhe një deve e lëndon këmbën në Irak, për shkak se unë nuk ia kam rregulluar rrugën“. Kalifi musliman ka patur gajle se Zoti do ta marrë në prëgjegjësi për një deve, nëse i ndodh diçka, edhe atë devja në Irak, e ai në Medine. Ndërkaq, jetojmë në kohë kur njerëzit, e jo devet, e humbin kokën, e jo këmbën, dhe pesë pare nuk jep askush.
Në spitalin modular të Tetovës, nuk pati lotë, pasi u shkrumbuan. Tash, të shohim obduksionin, a është shkrumbuar edhe përgjegjësia dhe njerzillëku i përgjegjësve?!

Next Post

Zarifja nga Tetova heroinë e ditëve tona, nuk iku nga zjarri, u dogj duke shpëtuar bashkëshortin!

Me dhimbje të madhe u dhamë lamtumirën e fundit dy bashkëvendasve tanë nga fsh.Bozovcë, çiftit Xhemal dhe Zarife Bilalli, të cilët e humbën jetën në tragjedinë e datës 08.09.2021 në spitalin modular të Tetovës i cili u përfshi nga zjarri. Sa të jetojmë do t’i kujtojmë! – shkruan Bjeshkët e […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: