Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Zaevi, mos e hani sallatën maqedonase!

7 min read
Loading...

Nga Mentor Nazarko

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, vizitoi ditë më parë Shqipërinë. Vizita e tij dhuroi plot mesazhe, një pjesë e të cilave, u transmetuan edhe nëpërmjet intervistave që Zaev dha për mediat shqiptare.Ishin intervista të urta, të qeta, lidhur edhe me klimën konfliktuale që po përjeton politika e vendit tonë dhe shoqëria në përgjithësi.

Drejtpërdrejt, por dhe jo, ndërsa fliste për mënyrën sesi ishin zgjidhur probleme ku e ku më të mëdha sesa ato të Shqipërisë. Disa të thëna të kumtuara prej një kreu institucionesh të një vendi problematik, prej të cilit vjen edhe shprehja “sallatë maqedonase”, si pasojë e përzierjeve etnike, pozicionit gjeografik, rolit ndikues apo dhe përçarës, që luajnë vendet fqinje. Njëlloj, si në një lojë shahu, ku përveç dy lojtarëve kryesorë, janë edhe dy duar të tjera nga mbrapa, ato të spektatorëve të cilët futen në tavolinë dhe lëvizin figurat e dy palëve.

Këshillat e ardhura nga lideri i një vendi të tillë, duken interesante për situatën shqiptare, situatë konfliktuale e cila synon të arrijë në nivele shpërthimi të tilla që të ndërkombëtarizohet. Duke arritur në këtë mënyrë te ato cilësi të cilat e bëjnë situatën e vendit tonë të ngjashme me atë maqedonase.

Zoran Zaev ka ardhur në pushtet duke patur paraardhës Gruevskin, një figurë e cila ishte thuajse e palëvizshme në politikën maqedonase, prej 4-mandatesh, i fokusuar në ekonomi, në kontroll të qëndrueshëm të votave në politike maqedonase, blerjes së konsensusit me të gjitha format (jo domosdoshmërisht të ngjashme me ato tonat). Gruevski ishtë një figurë, e cila iku nga pushteti jo prej votës, por prej asaj që italianët e quajnë ‘ribaltone’- kalimit të një partie nga koalicioni me të, kur zgjedhjet mbaruan, për shkak të presionit ndërkombëtar- tek pala tjetër. Pra kryeministri Zaev, ka ardhur në pushtet jo prej shndërrimit të partisë së tij në një mazhorancë për sllavo-maqedonasit, por për shkak të rolit të shqiptarëve, njëherë si pjesë votuese e partisë kundërshtare të tij, dhe pastaj si parti e cila u përfshi në koalicionin fitues.

Shembulli i Zaev duhet të analizohet edhe për mënyrën si erdhi në pushtet, që e bën të ngjashëm me ne: kjo ndodhi si pasojë e një fushate të gjatë, të pandërprerë, sulmesh, akuzash, që përfshin edhe publikimin e dosjeve të fshehta të përgjimeve të zbuluara ose nga shërbimet sekrete perëndimore, ose nga një pjesë e atij maqedonas. Shërbime të cilat për të rrëzuar një figurë si Gruevski, që ishte çimentuar në pushtet, zgjodhën rrugën e goditjes së fuqishme të përqëndruar në dy muaj rrjesht ose më shumë, nëpërmjet përgjimeve që preknin një numër të madh njerëzish të pushtetit. Opozita në Shqipëri nuk ka në dorë materiale të tilla (vetëm pak-dosja 339;), dhe as bashkëpunimin me shërbime perëndimore. Prej atij proçesi të publikimit, i cili pati impakt elektoral, lindi edhe një proçes ligjor, penal në kurriz të gjithë elitës partiake të Gruevskit, i cili dhe sot vazhdon, me një institucion special, i ngjashëm me atë që sot do të duhet të ishte një nga Institucionet kryesore të Reformës në Drejtësi, si Byroja e Hetimit, apo SPAK-u, pra hetim i nivelit të lartë të korrupsionit të politikanëve.

Kjo ishte rruga paraprijëse, e cila e solli në pushtet Zaevin, një koordinim i një fushate denoncuese, e cila nuk ishte e mbushur me tregimet që shpeshherë përdor një pjesë e opozitës sonë, por me përgjime konkrete, audio, transkriptime të tyre, dhe me mbështetjen perëndimore me protesta të cilat nuk rrëshkitën në dhunë ekstreme, ndonëse Maqedonia,mbetet vendi si fusha e shahut, ku nuk luajnë vetëm dy palë. Ka më shumë se sa dy palë, sepse vendet fqinje, Shqipëria Bullgaria, Kosova, Greqia, Serbia, Turqia, kanë qenë gjithmonë aty aktivisht të pranishme, tashmë edhe Rusia. SHBA-të kanë qenë dhe janë gjithmonë aty, edhe ushtarakisht, ndonëse simbolikisht. Në këtë optikë, Maqedonia, është një lloj laboratori prove për eksperimente të ndryshme shtetërore apo ndëretnike, në Ballkan dhe më gjerë.

Pikërisht për këtë arsye rrjedh edhe shprehja e “sallatës maqedonase”.

Kur maqedonasi Zaev, flet për dëmet e sallatës maqedonase

Zaevi, siç e tregoi në intervistat lidhur me protestat e shqiptarëve, është një shembull, për mënyrën se si është duke e qeverisur Maqedoninë në këtë fazë të veçantë të historisë së saj.
Zaevi lehtësoi konfliktualitetin ndëretnik. Erdhi në pushtet me vota qytetarësh maqedonas të etnisë shqiptare, diçka e paimagjinueshme, duke shfryrë bombën me sahat të luftës të kurdisur me procese gjyqësore si ai i Mostrës, i Kumanovës, etj. E bëri duke fituar edhe rreth 50.000 vota për partinë e tij, diçka e paimagjinueshme më parë.

Zaev realizoi një tranzicion të qetë pushteti. Ai po konsolidohet sot në pushtet në kushtet kur kishte të bënte përballë me një kryeministër i cili ishte i blinduar në pushtet, që krijoi një grup interesi të fuqishëm ekonomik, politik, dhe që zotëronte bizneset më të mëdha në Maqedoni. E ashtuquajtura klasa e oligarkëve në Maqedoni, u krijua në fillim nga LSDM-ja, e tij nëpërmjet privatizimeve, u fuqizua nga Gruevski edhe me politikën e subvencioneve, etj, duke u lidhur fuqishëm me Gruevskin gjatë katër mandateve të tij. Pra, përballë një ailiazhi të tillë pushteti politiko-ekonomik, Zaevi arriti që të realizojë një tranzicion të qetë pushteti me ndonjë përjashtim të vogël të asaj protestës që degjeneroi në Parlament, për shkak të rezistenëcë së partisë së Gruevskit. Bëjini vetë krahasimet, me Berishën dikur dhe Ramën sot.

Ky është leksioni i parë i “sallatës maqedonase”, që në fakt u bë e ngrënshme dhe për tryezat evropiane.

Tranzicioni është I qetë, ndonëse institucionet e krijuara të Sistemit të Drejtësisë, si Prokuroria Speciale, vazhdon të funksionojë duke futur në burg, (tek ne Reforma ende nuk ka filluar) ndonëse me dënime të vogla, krerët e institucioneve të qeverisjes së Gruevskit, përfshirë edhe kryetarin e Parlamentit.Gruevski është gjithashtu i ndjekur penalisht, ndonëse për një krim të vogël që është shitblerja e makinës së tij të luksit, atë kryeministrore, është dënuar me një vit e gjysëm me vendim të prerë nga Gjykata, i detyruar që të iki në Hungari. Ndërkohë janë të hapura edhe çështje të tjera, për atë dhe për ministra të tjerë të kësaj qeverisjeje, dhe gjithçka po ndodh, kur Zaev i cili përfaqëson një parti të brishtë nga pikëpamja e mbështetjes elektorale, arrin që të zhvillojë referendum për çështjen e emrit me Greqinë.

Zaevi në marrëdhëniet ndërkombëtare: mbylli një marrëveshje problematike si ajo e emrit, dhe normalizoi marrëdhëniet me Greqinë, me Bullgarinë, me Shqipërinë, me Kosovën, madje dhe me Rusinë, pas një periudhe përplasjeje. Me Greqinë, arriti të firmosë një marrëveshje të cilën ai e zgjidhi pas 30 vitesh rezistencë, të Maqedonisë së tij, duke hapur rrugën për anëtarësim në NATO dhe BE. Ai arriti të zhvillojë një proçes me rëndësi kombëtare, një tranzicion të qetë, të bëjë paqe me kundërshtarët e tij politikë.

Zaevi me opozitën: Marrëdhënie normale, bashkëpunimi për proceset ndërkombëtare të vendit të tij, referendumin, reformat, pse jo dhe një amnisti! Para pak ditësh u zhvillua në Kryeministri një takim i tij me kreun e partisë së opozitës Mitskovski, me pasardhësin e Gruevskit. Sa për shembull: është njëlloj sikur Rama të arrestojë, apo të kërkojë ndjekjen penale të Berishës, dhe të takohet me Bashën në kryeministri, pasi kanë mbyllur reformat për anëtarësimin në BE.

Zaev pra ka arritur të qetësojë klimën politike duke bashkëpunuar edhe me palën tjetër e cila do të duhet të ishte në një luftë të ashpër, nëse do të ndodhte në Shqipëri.
Të gjitha këto i bën në një vend të vogël, duke ruajtur ankorimin euroatlantik, të vendit të tij ndonëse i përket një shumice sllave.

Mund të thuhet se, Zaevi i ka arritur këto për shkak të mbështetjes perëndimore të fuqishme, në favor të tij, pra ndikimit amerikan, në të gjitha këto proçese, por ama të gjitha këto janë të pranishme edhe në Shqipëri, për më shumë që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe ndërhyrja perëndimore është më e legjitimuar se sa atje dhe ne nuk kemi sukses të tillë.

Në këtë mënyrë, Zaevi, me mënyrën se si i ka zgjidhur problematikat ekzistuese në Maqedoni, mënyrën se si i ka çuar përpara këto proçese është një shembull për Shqipërinë e sotme. Mjafton të imagjinoni seicilin prej sukseseve të tij, të projektuara në Shqipëri. Ne kemi dështuar në seicilën prej këtyre pikave. Ndaj duhet ta marrim shembull atë.
Burimi: konica.al