Osmani në Ditën e Evropës kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës dhe ndalimin e politikave akomoduese ndaj Serbisë

Në Ditën e Evropës, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për heqjen e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat ajo i ka cilësuar si të padrejta. Presidentja theksoi se këto masa nuk përputhen me vlerat mbi të cilat është ndërtuar vetë Bashkimi Evropian.
“Reflektojmë mbi vlerat që qëndrojnë në themel të Republikës sonë dhe të Bashkimit Evropian: demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit. Këto vlera kanë qenë dhe mbeten udhërrëfyes në rrugëtimin tonë drejt integrimit në BE”, ka shkruar Osmani në një reagim zyrtar.
Sipas saj, për qytetarët e Kosovës, kjo ditë simbolizon përkushtimin e palëkundur ndaj vlerave evropiane, pavarësisht sfidave dhe padrejtësive që po e shoqërojnë vendin në këtë rrugëtim.
Ajo ka kërkuar nga institucionet evropiane që të ndalojnë së ndëshkuari popullin më pro-evropian të kontinentit dhe të trajtojnë me seriozitet politikat destabilizuese të Serbisë, të cilat u theksuan edhe më shumë me vizitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Moskë për Ditën e Evropës.
“Ëndrra evropiane për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar nuk mund të realizohet plotësisht pa përfunduar politikat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe pa ndalur politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”, ka përfunduar Osmani.