Kryeministri shqiptar Edi Rama i tha gazetës britanike Financial Times (FT) se NATO duhet të rivendosë kontrollin mbi Kosovën veriore, duke u bërë thirrje udhëheqësve perëndimorë të zgjidhin “çmendurinë e pafund midis vendeve të Ballkanit”.
“NATO duhet të rivendosë kontrollin mbi Kosovën veriore ose të përballet me dhunën e vazhdueshme midis serbëve etnikë dhe shqiptarëve etnikë në rajon,” tha kryeministri shqiptar për FT.
Rama, vendi i të cilit është anëtar i aleancës së NATO-s, foli për FT pas përleshjeve në Banjska ku humbën jetën të paktën katër persona, njëri prej të cilëve polic i Kosovës.
“Kosova është një pikë qendrore. Ajo është bërë një tokë e askujt gjatë viteve ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Vija mes krimit dhe politikës është e paqartë”, tha Rama.
NATO ka njoftuar se do të vendosë forcat shtesë të nevojshme për të stabilizuar situatën dhe Gjermania dhe Britania e Madhe tashmë kanë premtuar qindra trupa përveç forcës ekzistuese prej 4500 trupash për të mbajtur rajonin nën kontroll, kujton gazeta britanike, duke shtuar se Liderët kosovarë dhe ata serbë i kanë bërë thirrje NATO-s që të rrisë praninë e saj dhe të qetësojë tensionet.