PESHA E KULTURËS INSTITUCIONALE
4 min read
Në fokus
PESHA E KULTURËS INSTITUCIONALE
Cili është interes nacional në sferën e kulturës? A është gjuha? A është bota e artit muzikor-skenike, artit pamor? A është mënyra e të ushqyerit, të veshurit, të komunikuarit? Libri, besimi, ritet, etj? Po! Të gjitha këto i përkasin interesit nacional shqiptar, të cilat nuk përputhen në asgjë me interesat nacionale maqedonase. Madje, kur ndërhyn këtu politika ditore, “pronarët” e këtyre interesave nacionale manifestojnë një armiqësi të paparë e shumë të egër.
Asnjë subjekt juridik apo fizik nuk mund të përcaktojë se cila vepër është me interes nacional për shqiptarët dhe për kulturën e tyre. Në konkurs për Programin vjetor të Ministrisë së Kulturës në RMV konkurrohet kryesisht me tituj, dhe jo me shfaqje, me film të xhiruar, me libër të botuar, me artefakte nga gjurmimet arkeologjike, me festivale tashmë të organizuara një vit më parë! Ndërsa, në mënyrë fare ligjore dhe krejt institucionale subjektet përcaktuese maqedonase vlerësojnë se kjo apo ajo vepër shqiptare nuk i përmbush interesat nacionale! Natyrisht, këtu mendohet për interesin nacional maqedonas!
Pasi të hartohet programi nacional vjetor, Ministria e kulturës, të gjithë subjekteve që kanë konkurruar, u dërgon përgjigje me shkrim për arsyen e refuzimit të projekteve. Deri para ca kohësh, të gjitha përgjigjet përmbanin këtë tekst përçmues për shqiptarët dhe për kulturën e tyre: “Projekti refuzohet, sepse nuk është i argumentuar dhe i elaboruar në mënyrë adekuate, ndaj dhe komisioni nuk mund ta vlerësojë nivelin artistik, gjegjësisht, nuk mund ta gjejë interesin nacional në kulturë!” Asnjë kundërshtim dhe asnjë përgjegjësi nga askush kundër kësaj strategjie përçmuese ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut.
Nisur nga kjo logjikë, në kohën e qeverisjes së Nikoll Gruevskit ishte miratuar edhe Ligji për artistë nacionale që përcaktonte se kush dhe si mund të zgjidhet artist nacional, titull ky që siguronte një pension të veçantë për të gjithë artistët e kombit. Natyrisht, në bazë të këtij ligji, asnjë nga artistët shqiptarë nuk e meriton këtë titull, madje, përtej humanes, është ofenduese për gjithsecilin.
Përfitime për moshën e pensionit siguroheshin përmes dy-tre çmimeve të domosdoshme shtetërore që u jepeshin, veç të tjerëve, edhe personaliteteve të shquar nga sfera e artit dhe të kulturës. Këto çmime në asnjë segment të tyre nuk përkojnë me kulturën, historinë dhe traditën shqiptare. “11 Tetori” – dita e kryengritjes së popullit maqedonas! “23 Tetori” – dita e luftës revolucionare maqedonase! Shpërblimi “Sv. Kliment Ohridski”. Për nder të ditës së vdekjes së Goce Delçevit, më 4 maj jepej shpërblimi shtetëror “Goce Delçev”. Më 21 dhjetor, për nder të ditëlindjes së Mito Haxhi Vasilev Jasmin jepet shpërblimi shtetëror që mbanë emrin e këtij personaliteti historik maqedonas. Artistit shqiptar, nacionalist e disident, me alamet dosje policore, i përndjekur tërë jetës, në fund i jepet shpërblimi për nder të ditës së formimit të VMRO-së! Me një fjalë, asnjë nga shpërblimet nuk prek më të voglin interes nacional shqiptar. Natyrisht, është në nder të çdo artisti që në jetën e vet të shpërblehet me lloj-lloj çmimesh e titujsh ndërkombëtar, por është e pandershme që mos të ketë një titull kombëtar, ndërsa të ketë nga çmimet që shënojnë ngjarje e personaltete antishqiptare!
Për një neglizhencë të këtillë, për një uzurpim të vlerave kulturore në dëm të kulturës tjetër, për një përçmim dhe mohim i kësaj natyre, në pluralizëm faji duhet të kërkohet, mbi të gjitha, te subjektet politike që marrin mandatin e popullit për të prirë nëpër procese. Por, a mund të mandatohet një subjekt politik, i cili jo që nuk e kupton peshën e institucionalizmit të jetës kulturore, por që në axhendën e veprimeve politike fjalën “kulturë” e ka si dekor margjinal dhe abstrakt të programit, në të cilën nuk e ka të përcaktuar dhe të nënvizuar qartë as interesin nacional kulturor por as edhe një fjali që do ta përbënte platformën politike për kulturë nacionale.
Okupatori mund të fajësohet vetëm për okupim, ndërsa për çlirim dhe liri faji bie mbi vasalët dhe të okupuarit! /HEJZA/