Presidenti i Shqipërisë takohet me Arben Fetain, Afrim Gashin dhe Izet Mexhitin

Presidenti i Shqipërisë, Sh.T. Bajram Begaj, u takua këtë mëngjes në Shkup me Kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashin, dhe Zëvendëskryeministrin e Parë, Izet Mexhitin. Takimi u zhvillua në prani të Zëvendëskryeministrit Arben Fetai, i cili ndau detaje për diskutimet përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Sipas Fetait, bisedimet kishin një karakter vëllazëror dhe u përqendruan te bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, në kuadër të procesit të integrimit europian. Temat kryesore të diskutuara përfshinë Korridorin VIII, sigurinë rajonale, si dhe vizitën e ardhshme të Presidentit Begaj në Maqedoninë e Veriut.
“Bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është kyç për stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë për forcimin e marrëdhënieve tona të thella në të gjitha fushat,” theksoi Fetai në deklaratën e tij.
Ky takim vjen në një moment kur të dyja vendet po intensifikojnë përpjekjet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe për forcimin e projekteve strategjike dypalëshe.