Presidentja Osmani në darkën e Kongresit Amerikan dhe AP të NATO-s: Mirënjohje e përjetshme për miqtë tanë të lirisë dhe paqes

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, për të marrë pjesë në sesionin pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ka mbajtur një fjalim në darkën e organizuar nga Kongresi Amerikan dhe Asambleja Parlamentare e NATO-s.
Në adresimin e saj para udhëheqësve të lartë të Kongresit dhe përfaqësuesve të vendeve anëtare të NATO-s, Presidentja Osmani theksoi se paqja nuk trashëgohet, por ndërtohet, mirëmbahet dhe mbrohet vazhdimisht.
“Sot përfaqësoj një Kosovë të lirë dhe sovrane, një tokë që dikur ishte e shkatërruar nga lufta, por që sot flet me gjuhën e paqes, shpresës dhe mirënjohjes. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e NATO-s erdhën në Kosovë jo për lavdi, por sepse besonin në të drejtën themelore të çdo njeriu për të jetuar i lirë nga shtypja”, tha Presidentja Osmani.
Sipas Presidentes Osmani: “Në momentet më të brishta, ata nuk na ofruan strehë vetëm për shtëpitë tona, por edhe për ëndrrat tona. Falë tyre, fëmijët e Kosovës më në fund flenë të sigurt. Falë tyre, një shtet u ngrit nga hiri”.
Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se ushtarët amerikanë që erdhën me uniformë dhe qëndruan me vendosmëri, gjithmonë do ta kenë një shtëpi në Kosovë.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights