“Prishtinë, Ademi kërkon masa urgjente për mbrojtjen e shëndetit të futbollistëve”

Pas shqetësimeve të fundit për rrezikimin e shëndetit të futbollistëve gjatë ndeshjeve kampionale, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka zhvilluar një takim pune me Këshillin Mjekësor të FFK-së.
Ky takim kishte për qëllim rishqyrtimin dhe avancimin e strategjisë gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së sportistëve. Presidenti Ademi ka kërkuar propozime konkrete nga Këshilli Mjekësor, të mbështetura në praktikat më të mira ndërkombëtare, për forcimin e masave preventive dhe emergjente.
Është theksuar se përgatitjet teknike, logjistike dhe profesionale për zbatimin e këtyre masave duhet të nisin pa asnjë vonesë në të gjitha nivelet e garave.
FFK nënvizon se shëndeti i futbollistëve është prioritet absolut dhe se do të ndërmerren masa konkrete, me kontrolle rigoroze dhe bashkëpunim të ngushtë me profesionistët e mjekësisë sportive, për të garantuar një sistem që vendos sigurinë dhe jetën e sportistëve mbi çdo gjë tjetër.