“Prishtinë, nesër mbahet përpjekja e 13-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës”

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar zyrtarisht se nesër, më 9 maj, do të mbahet seanca e 13-të me radhë për përpjekjen për ta konstituar Kuvendin. Seanca do të nisë në orën 10:00, saktësisht 48 orë pas dështimit të seancës paraprake të mbajtur më 7 maj.
Të mërkurën u shënua dështimi i 12-të radhazi në këtë proces, ndërsa ende nuk është arritur konsensusi për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Një ditë më parë, Komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit nuk arriti të kalojë, pasi 56 deputetë votuan pro, një kundër dhe nuk pati asnjë abstenim – numra që nuk ishin të mjaftueshëm për përparim në këtë drejtim, raportoi Klankosova.tv.
Kuvendi mbetet i bllokuar, ndërsa sytë janë tashmë të kthyer kah seanca e nesërme, që pritet të tregojë nëse do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimet e partive parlamentare.