Prishtinë, VV e sigurt për krijimin e qeverisë, por pa zbuluar koalicionet

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur të bindur se kanë numrin e nevojshëm të votave për të formuar qeverinë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, më 15 prill. Ata i janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë regjistrimit si deputetë, duke konfirmuar se janë të sigurt për formimin e qeverisë, por pa ofruar detaje se me cilët deputetë do të arrijnë shumicën prej 61 votash.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u shpreh i sigurt se kanë mjaftueshëm vota për të formuar qeverinë. “Patjetër që po. 61 i kërkon Kushtetuta. Sa më shumë, aq më mirë,” tha Murati, por nuk dha më shumë detaje mbi përkrahjen nga partitë tjera.
Agim Bahtiri, deputet i VV-së, shprehu po ashtu besim se do të arrihen numrat e nevojshëm, por gjithashtu evitoi të përmendte emra konkretë të deputetëve që mund të sigurojnë shumicën. “Numrat janë të deputetëve, 61 e më shumë, do të bëhet me deputet të Republikës së Kosovës,” tha Bahtiri.
Në anën tjetër, deputeti Halil Thaçi ishte më konkret. Ai tha se Albin Kurti do të zgjidhet kryeministër me 63 vota, ndërsa Glauk Konjufca do të jetë kryeparlamentar. “Me 63 vota, kryeministër do të jetë Albin Kurti, ndërsa kryeparlamentar Glauk Konjufca,” deklaroi Thaçi.
Ndërkohë, ditët e fundit është diskutuar edhe mundësia e një koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës, pasi Albin Kurti kishte ftuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për një takim konsultues, por ky i fundit refuzoi ftesën. Abdixhiku e arsyetoi këtë me gjuhën që LVV ka përdorur ndaj LDK-së, duke e bërë të pamundur një bashkëpunim për formimin e qeverisë.
Megjithatë, për të arritur shumicën e nevojshme, LVV-ja do të duhet të mbështetet në deputetë të tjerë nga komunitetet joshumicë, pasi për të zgjedhur kryeministrin janë të nevojshme 61 vota.