Qytetarët kërkojnë reagim institucional urgjent ndaj kaosit urban në Çair: Shteti nuk mund të heshtë përballë këtij krimi ndërtimor

Pamjet e publikuara së fundmi nga vetë kryetarja e Shkupit, që tregojnë ndërtime pranë shkollave, shtëpive private dhe rrugëve të ngushta të lagjeve të vjetra, janë dëshmi tronditëse e një kaosi të toleruar, që nuk do të ishte i mundur pa mbështetje ose mospërgjegjësi institucionale.
Institucionet shtetërore nuk kanë reaguar. Asnjë sinjal nga inspektoratet, asnjë ndërhyrje nga strukturat përgjegjëse për mbikëqyrjen e ligjshmërisë.
BDI kërkon që institucionet përgjegjëse të marrin masa të menjëhershme për të hetuar dhe ndaluar këtë dukuri të rrezikshme. Heshtja shtetërore nuk mund të jetë mburojë për ata që po shkatërrojnë sistematikisht të vetmen hapësirë jetese të banorëve të kësaj komune.
BDI qëndron fuqishëm në krah të banorëve të Çairit dhe kërkon rikthimin e ligjshmërisë, përgjegjësisë institucionale dhe respektit për jetën e përditshme të njerëzve që meritojnë të jetojnë në një ambient të sigurt dhe dinjitoz.