Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

11 kadetë të FSK-së diplomohen në nivelin Bachelor në Universitetin Amerikan

2 min read
Loading...

Dje në mjediset e Universitetit Amerikan të Kosovës (AUK) u mbajt ceremonia e diplomimit në nivelin Bachelor të studentëve të këtij universiteti. Në emër të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ceremoninë e diplomimit morën pjesë komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS), gjeneral brigade Irfete Spahiu, komandanti i Qendrës për Studime Universitare(QSU), major Vegim Krelani si dhe stafi komandues i QSU-së.


Ceremonia u hap nga kadetët e FSK-së, të cilët performuan drillin me flamuj në nderim të himneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në ceremoninë e 15-të të diplomimit të kadetëve të FSK-së, në Universitetin Amerikan në Kosovë, diplomuan 11 kadetë të Qendrës për Studime Universitare të FSK-së, prej të cilëve 8 kadetë i takonin vitit të IV-të “Gjenerata 2019”, ndërsa 3 kadetë i takonin vitit III-të “Gjenerata 2020”, të cilët arritën që me sukses t’i përfundojnë provimet një vit më herët.

Kadeti Dritëro Bajrami është përzgjedhur studenti më i dalluar i gjeneratës 2019 për arritje të larta akademike në mesin e kolegëve të tij. Po ashtu, Dritero Bajrami është kadeti i parë që mori titullin Student i Shoqërisë së Nderit “Salutatorian” në RIT Kosovë (AUK). Kadeti Bajrami njëherësh ishte edhe folësi kryesor në ceremoni, i cili fjalimin e tij e përmbylli me fjalinë “tri gjerat që na kanë sjellë deri këtu ku jemi sot, do të na prijnë në shekujt e ardhshëm, dhe ato janë Detyra, Nderi dhe Atdheu.”

Në fund, stafi komandues i QSU-së u takua edhe me familjarët e kadetëve, të cilët i uruan për arritjet akademike dhe diplomimin me sukses të bijve të tyre në programin civil të studimeve.