Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Basha: Katicat e Edi Ramës në Prokurori, Arta Marku dhe Donika Prela, po veprojnë si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të “Rilindjes”

8 min read
Loading...
  1. Katicat e Edi Ramës në Prokurori, Arta Marku dhe Donika Prela, po veprojnë si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të “Rilindjes” për të mbyllur dosjen 184 përpara krijimit të SPAK-ut.

 

  1. Katicat e Edi Ramës duhet të ndiqen penalisht për shpërdorim detyre për mbulimin e vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër nga një grup i struktuar kriminal, me përfshirjen e politikanëve të lartë të PS, kriminelëve, zyrtarëve të lartë dhe policisë.

 

  1. Ngjarjet tregojnë degjenerimin përfundimtar të Edi Ramës dhe të organizatës së tij kriminale. Ka rikthyer në krye të PS Tom Doshin, një njeri në listën e zezë të SHBA, duke caktuar kandidat për Shkodrën një kriminel të dëbuar nga Italia.

 

  1. Edi Rama ka dijeni të plotë që edhe Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është me precedent të hapur penal me drejtësinë greke. Sa kryebashkiakë të tjerë janë me precedentë penalë?!

 

  1. Kriminalizimi i plotë i politikës, me Edi Ramën në krye, është burimi i krizës së thellë ekonomike, politike dhe kushtetuese në Shqipëri. Edi Rama nuk përfaqëson më asgjë, as socialistët, përveç interesave të kriminelëve.

 

  1. Mënyra e vetme për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza është çlirimi i politikës nga krimi dhe kjo klikë kriminale, përmes një procesi të rregullt zgjedhor, të mbikqyrur nga një qeveri tranzitore, në përbërje të së cilës nuk mund të ketë persona të lidhur me krimin.

 

  1. PD dhe opozita do të shpalosië së shpejti një platformë masash, për Shqipërinë si e gjithë Evropa si një plan kombëtar për të mos humbur më shumë kohë dhe mundësi të çmuar, duke mbyllur përsëri derën e Evropës dhe të investimeve të huaja.

 

  1. Koha nuk pret. Shkodra, Vora, asgjesimi dhe kthimi i prokurorisë në një shtojcë të organizatës së strukturuar kriminale të “Rilindjes”, tregojnë se Shqipëria është në një udhëkryq shumë të rrezikshëm, nga i cili duhet të dalim një orë e më parë.

 

  1. Gjermania është ndër vendet e paraqë ka ngritur zërin mbi domosdoshmërinë e kapërcimit të krizës për të siguruar integrimin evropian të vendit.

 

  1. Kanë patur, kanë dhe do të kenë tek PD, opozita dhe tek unë, personalisht, një faktor të gatshëm të hedhë çdo hap të mundshëm për zgjidhjen e kësaj krize sipas parimeve, normave dhe standardeve evropiane.

 

 

 

KOMUNIKIMI ME GAZETARËT I KRYETARIT TË PD, LULZIM BASHA

 

 

Pyetje: Prokuroria e Krimeve të Rënda ka deklaruar moskompetencën përsa i përket dosjes 184, duke ia deleguar hetimin për vjedhjen e votave prokurorisë së Dibrës. Komenti juaj?

 

Lulzim Basha: Ky është një veprim i dy Katicave, të Prokurorisë së Përgjithshme dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Katica e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Katica e Krimeve të Rënda po veprojnë, siç kemi thënë edhe më parë, si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të “Rilindjes”. Ato janë aty për t’i mbrojtur dhe jo për t’i çuar përpara ligjit politikanët, që janë kapur duke vjedhur paratë e shqiptarëve apo duke vjedhur votat e shqiptarëve në bashkëpunim me krimin e organizuar, siç tregon dosja 184. Guximi që kanë marrë, përpjekja për të mbyllur diçka, që tashmë e ka marrë vesh e gjithë bota, e gjithë Evropa, përmes publikimeve të gazetës më të madhe gjermane Bild, tregon që dëshpërimi i Edi Ramës dhe i organizatës së tij kriminale është i tillë, saqë ka vendosur t’i shtyjë edhe këto masha të pushtetit të tij, siç janë Arta Marku dhe Donika Prela, dy katicat e tij në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, drejt vetëflijimit. Sepse me veprimet që kanë ndërmarrë sot, të dyja janë penalisht të ndëshkueshme nga ligji, s’kanë bërë asgjë më pak e asgjë më shumë sesa shpërdorim detyre me qëllim mbulimin e një vepre të rëndë kriminale, siç është ngritja e një grupi të strukturuar kriminal, me përfshirje të politikanëve më të lartë të Partisë Socialiste, të kriminelëve më të rrezikshëm në Shqipëri, të oficerëve më të lartë të Policisë së Shtetit dhe të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vjedhur zgjedhjet në Dibër. Pra, të dyja, prej këtij momenti, duhet të ndiqen penalisht për shpërdorim detyre. Prandaj po them që kanë zgjedhur dhe e meritojnë plotësisht që këtej e tutje të quhen Katicat e Shqipërisë. Siç e dini, Katica është Prokurorja Speciale që u vu në pranga në Maqedoninë e Veriut, për shkak të aferës korruptive që u zbulua nga mediat në vendin fqinj.

 

Në thelb, këto ngjarje tregojnë degjenerimin përfundimtar të Edi Ramës dhe të organizatës së tij kriminale. Shikoni çfarë ka ndodhur, ka rikthyer në krye të Partisë Socialiste Tom Doshin, një njeri në listën e zezë të partnerëev tanë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe, bashkë me të, në dijeni të plotë, caktuan kandidat për Bashkinë e Shkodrës një kriminel të dëbuar nga Italia, ndërkohë që, ky njeri sot duhej të ndiqej penalisht, sepse vetë mosdeklarimi në formularin e dekriminalizimit përbën vepër penale. Prokuroria, në vend që të bëjë këtë, përpiqet të mbyllë dosjen 184 dhe ta mbyllë, mundësisht, para se të krijohet SPAK-u.

 

Një tjetër rast i rëndë është sjellë në vëmendjen e publikut nga Partia Demokratike, ky është rasti i Agim Kajmakut, një tjetër individ me precedentë penalë në Greqi, për të cilin, po kështu, Edi Rama dhe persona të tjerë përgjegjës në kupolën e lartë socialiste, kanë patur dijeni të plotë. Në të njëjtën mënyrë si Valdrin Pjetri, edhe Agim Kajmaku, sot ka mohuar precedentin penal në shtetin fqinj. Fakti është se Agim Kajmaku është një person me precedentë penal të hapur me drejtësinë greke dhe ky është një fakt i ditur nga Edi Rama, është një fakt i komunikuar atij nga partnerët ndërkombëtarë dhe, prapëseprapë, ka zgjedhur të vazhdojë të kandidojë një person tjetër me precedentë penal, në shkelje të Ligjit të Dekriminalizimit. Pyetja që shtrohet këtu është: Sa të tjerë nga këta kryebashkiakë janë me precedentë penalë? A nuk është kjo një provë tjetër, unë do të thoja fundore, se kriza e thellë ekonomike në Shqipëri, kriza politike dhe kushtetuese në Shqipëri kanë një burim, kriminalizimin e plotë të politikës me Edi Ramën në krye, që ai përfundimisht nuk përfaqëson më asgjë, as interesat e socialistëve të thjeshtë, por interesat e kriminelëve, nga trafikantët dhe lordët e baronët e drogës deri tek kriminelët e tjerë që kanë kandiduar për bashkinë, apo që i ka futur në parlament.

 

Padyshim, përgjigjja e vetme për këtë është çlirimi i politikës nga krimi, është çlirimi nga kjo klikë kriminale, përmes një procesi të rregullt zgjedhor, të mbikqyrur nga një qeveri tranzitore, në përbërje të së cilës nuk mund të ketë as persona të lidhur me krimin dhe as persona përgjegjës për lidhje të tmerrshme me krimin, që Edi Rama dhe kupola e “Rilindjes” u servirën shqiptarëve këto 6 vite. Kjo është e vetmja mënyrë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo krizë dhe për ta futur atë në rrugën e zhvillimit ekonomik, të punësimit, të mirëqenies, dhe për të siguruar integrimin evropian të vendit. Koha nuk pret. Jemi në një moment shumë delikat, ndaj, ashtu siç kam paralajmëruar, Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar, gjatë javëve në vijim, do të shpalosin një platformë masash, për Shqipërinë si e gjithë Evropa, si një ofertë kombëtare, si një plan kombëtar, për të mos humbur më shumë kohë dhe mundësi të çmuar, duke mbyllur përsëri derën e Evropës për Shqipërinë, duke mbyllur derën e investimeve të huaja, duke e futur ekonominë në një krizë edhe më të thellë, që krijon më shumë papunësi, mjerim dhe varfëri, por për t’i dhënë fund kësaj krize politike, për t’i nxjerrë kriminelët nga institucionet, nga qeveria, nga parlamenti, nga bashkitë, për t’i nxjerrë ata nga ekonomia, për t’i hequr nga rrugët dhe sheshet e Shqipërisë dhe për t’i çuar para drejtësisë, për t’ia kthyer shqiptarëve institucionet, ekonominë, rrugët dhe sheshet e Shqipërisë.

 

Kjo platformë do të parashikojë disa masa, një pjesë e të cilave kam patur mundësinë t’i bëj publike edhe në bashkëbisedimin e fundit që kemi patur së bashku dhe do t’i nënshtrohet një bashkëbisedimi, një dialogu, një debati të gjerë kombëtar, me të gjithë faktorët e interesuar, politikë, shoqërorë, ekonomikë dhe të grupeve të tjera të interesit, përfshirë këtu edhe intelektualët, median dhe botën akademike. Por koha nuk pret. Shkodra, Vora dhe asgjësimi total i prokurorisë, kthimi i prokurorisë në një shtojcë të organizatës së strukturuar kriminale të “Rilindjes” tregojnë se Shqipëria ka mbërritur në një udhëkryq shumë të rrezikshëm, nga i cili duhet të dalim një orë e më parë.

 

Pyetje: Zoti Basha, sot ju takuat ambasadorin e ri gjerman dhe në fillim të shtatorit pritet një delegacion gjerman. A po kërkon Gjermania zgjidhjen e krizës politike dhe a janë ata ndërmjetës për të gjetur zgjidhjen?

 

Lulzim Basha: Unë u jam shumë mirënjohës partnerëve tanë perëndimorë, Gjermanisë, ambasadorin e ri të së cilës pata kënaqësinë ta pres sot, dhe personaliteteve të larta gjermane që do të vizitojnë Shqipërinë në javët e ardhshme. Janë ndër të parët që kanë ngritur zërin mbi domosdoshmërinë e kapërcimit të kësaj krize për të siguruar integrimin evropian të vendit. Kanë patur, kanë dhe do të kenë tek Partia Demokratike, tek opozita e bashkuar dhe tek unë personalisht, një faktor, jo vetëm të interesuar, por të gatshëm të hedhë çdo hap të mundshëm për zgjidhjen e kësaj krize sipas parimeve, normave dhe standardeve evropiane.