Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Kryeministri Haradinaj: Duke i nderuar heronjtë, ne e vërtetojmë se e dimë rrugën tonë deri këtu

3 min read
Loading...

“Rënia e Zahirit, Hakifit, dhe Edmondit, në mënyrën aq heroike, në përpjekje, duke rezistuar e luftuar bëri kthesë në kalkulimet tona, në mënyrën se si ne e planifikonim më tutje se çka duhet të ndodh, ku në këtë rrugëtim filloi edhe një seri e ngjarjeve të tjera që do të dëshmojnë se shqiptarët nuk mund t’i mposhtin në përpjekjet për liri. Duke i nderuar këta heronj, ne e vërtetojmë se e dimë rrugën tonë deri këtu dhe rrugën edhe më tutje”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në Akademinë Përkujtimore në 22-vjetorin e rënies së Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu, pasi bëri homazhe te shtatorja e heroit Edmond Hoxha.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeministri Haradinaj tha se sot, në vendlindjen e Edmondit, po bashkohen edhe familjet e Zahirit e Hakifit, po bashkohen të gjithë, ashtu siç ishin ata, por në Junik.

Kryeministri Haradinaj, theksoi se dita e sotme është ditë që i ka të veçantat e veta, që e bëjnë të veçantë këtë ditë, këtë flijim.

“Secili nga këta të tre, Zahiri, si prijës, por edhe si njeri që i ka prekur me dorën e vet krejt dimensionet e luftës sonë si brenda, si ato nga Shqipëria dhe dimensione tjera të rrugëtimit në liri dhe ndodhej bashkë me dy bashkëluftëtarë, e bashkëideologë, si ne këtë rast Hakifin dhe Edmondin”, tha kryeministri Haradinaj.

Duke folur nga Juniku, kryeministri Haradinaj tha se ky vend, është vend i atdhetarëve të zotë dhe i përpjekjeve për liri, për atdheun e qëndrueshëm, për vetveten, dhe se nga ky vend në çdo etapë kanë dalë përpjekjet për liri, njerëz që i kanë ndihmuar ato procese.

“Jo të gjithë kanë bërë emër që t’i njohë i gjithë kombi, por asnjëherë në asnjë etapë nuk ka munguar kontributi i Junikut. Juniku është vendi që është vënë në shërbim të lirisë e identitetit tonë kombëtar, janë njerëz të dijshëm që kanë ditur t’i lexojnë drejt situatat, që në momente kyçe të vendosin për veprime unike, që rrallë ka ndodhur në etapa tjera, vende tjera shqiptare, e etapa historike”, shtoi kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj foli edhe për dialogun me Serbinë ku tha se është mirë që kjo situatë e hapur të përmbyllet me njohje nga ana e shtetit serb duke potencuar se vendosja e taksës ndaj një shtetit tjetër është një e drejtë që e bën e gjithë bota moderne.

“Është mirë të jemi të sinqertë me miqtë tanë dhe pse po i bëjmë këto veprime. Nuk ia japim tregun Serbisë pa e marrë njohjen, sepse janë bërë 20 vjet dhe nuk do të lejojmë më që të mos e nxjerrim të drejtën tonë. Kjo nuk është kundër Amerikës, kjo është e drejta jonë”, përfundoi kryeministri Haradinaj, duke theksuar se në nderim të atyre që e kanë dhënë jetën sot për këtë atdhe, të gjithë të jenë unikë.Kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi  tha se rënia e heronjve është sinonim i bashkimit të vlerave qe ia dhanë vulën e lavdisë.

Të pranishëm në këtë Akademi Përkujtimore ishin përfaqësues institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, familjarë të heronjve, bashkëluftëtarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së dhe qytetarë të shumtë.

 

Nga një fjalë rasti para të pranishmeve mbajtën edhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta, Niman Tofaj si dhe në emër të familjarëve të heronjve foli edhe Floreta Zejnullahu.

Leave a Reply