Kryeministri Haradinaj: Jabllanica pagoi çdo çmim, për t’i thënë “Jo” forcave pushtuese

vull

“Jabllanica e atëhershme nuk ishte më vetëm shpresë, por u kthye në realitet, sepse kur ke hyrë aty ke qenë i mbrojtur dhe pikërisht për këtë nuk ka udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk e ka përfituar Shqipërinë, që nuk i ka ra të pushojë këtu, të vazhdojë e të kthehet prapë këtu”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj në Manifestimin Përkujtimor me rastin e 20 -vjetorit të Çlirimit të Jabllanicës tash Shqiponjës, organizuar nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit.


Fillimisht, kryeministri Haradinaj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Shqiponjë të Gjakovës.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij, tha se kjo datë që e kujtojnë sot, është datë krenarie për shqiptarët, vendi, në të cilin gjenden sot, e ka dhënë provimin vet pa ndihmën e askujt nëpër vite, duke iu thënë “Jo”, forcave të armikut.
“Ishte një rast unik, kur një vendbanim i vogël, zonë e varfër, kishte vendosur të jetojë vet, pa u kyçur fare në pjesën tjetër të jetës, të paguaj çdo çmim, për t’i thënë “Jo” forcave pushtuese”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ai ishte një lajm trimërues për bashkëkombësit kudo në botë.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij në këtë manifestim përkujtimor, tha se Jabllanica, tash Shqipnonja, kishte guximin dhe bindjen, që dinte shumë mirë qëllimin e armikut dhe për këtë, ky vend u bë një mit për shqiptarët, duke shtuar se gjithmonë, përmes kësaj adrese është zhvilluar gjithë ai proces i gjatë i përgatitjes dhe aftësimit të luftës.

Duke folur për sakrificën e shumë brezave të këtij fshati, të cilët u bënë luftëtarë, duke u kthyer në prijës të luftës dhe njerëz që kishin ndikim në proceset që vazhdonin për luftën, tha se edhe çmimi për ta nuk ishte i vogël, sepse të qëndroje përballë makinerisë luftarake të Serbisë, nuk ishte e thjeshtë.
“Në pranverën e vitit ’99, por edhe para kësaj date, të 17 majit, ishte një diskutim i madh ndërkombëtar se me kënd duhet të konfirmohej paqja, kur të kryhen bombardimet, se kë e ka palë të Kosovës? Diskutimet kanë qenë, që duhet me u marr vesh me Millosheviqin NATO-ja, që në Kosovë nuk ka palë tjetër, që ia konfirmon instancave më të larta në botë, se ky vend, duke e vërtetuar edhe nga fjalët e Xhimi Shia-s se UÇK-ja e ka çliruar qytetin e Jabllanicës”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se brezi i UÇK-së e gëzon tani të drejtën ta ndërtojë lirinë dhe po e ndërton atë, jo vetëm luftëtarët, por të gjithë ata që kanë jetuar në këtë kohë të kësaj lufte dhe është fat i madh që brezat tjerë janë tani në obligim të një porosie, sakrifice, që ta ndërtojnë lirinë, ta ndërtojnë Kosovën.
“Shqiptarët, gjatë gjithë historisë, në të drejtën e vet, asnjëherë nuk kanë abuzuar. E kanë kuptuar si përgjegjësi të ndërsjellë, që e drejta jonë në këtë etapë kohore të ndërtohet me Kosovën, të cilën e pranuan të gjithë shqiptarët”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se është dashur rrugë e gjatë dhe sakrificë për të ardhur deri këtu ku jemi sot dhe duke e realizuar Kosovën shtet sovran, të pavarur, në territorin e vet, në kufijtë e vet, jemi më të sigurtit.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij, theksoi se hapja e krejt asaj që është arritur për Kosovën, është gabim dhe duhet angazhuar për çdo aspekt të së drejtës së Kosovës më tutje.
“Duhet ta rrisim vetëdijen tonë njerëzore, qytetare, kombëtare, që të mos dështojë Kosova dhe për këtë të gjithë kanë interes edhe komunitetet, sepse po qe se dështon Kosova në planin e vet, në atë që është realizuar, nuk do të ketë stabilitet për askënd”, tha kryeministri Haradinaj, duke potencuar atë që, populli i Kosovës është popull euroatlantik, i cili duhet të insistojë të qëndrojë në të drejtën e vet, e drejtë, e cila është vlerë e përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare.

Lavdi të rënëve për liri!

Nga një fjalë rasti në këtë manifestim mbajtën edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, Hysni Gucati, në emër të shoqatave të dala nga lufta dhe Muharrem Gashi, në emër të familjarëve të dëshmorëve.

Pas manifestimit përkujtimor, kryeministri Haradinaj, mori pjesë në zbulimin e pllakës përkujtimore tek kulla e ish-komandantit të UÇK-së, Lahi Brahimaj, pasi kjo kullë, por edhe kulla të tjera, kanë qenë celula të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Next Post

Ueb faqja e presidentit të Maqedonisë së Veriut edhe në gjuhën shqipe

Ueb faqja zyrtare e presidentit të ri të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, tashmë është në përpunim e sipër, por me të shikuar ueb faqen zyrtare të presidentit ajo tashmë është në tre gjuhë, në gjuhën maqedonase, në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze. Deri tani ajo ishte […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: