Kryeministri Kurti: Fuqia e rinisë sonë është brenda shtetit, për të na shtyrë drejt zhvillimit

vull

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Muajit të Rinisë me mundësi të punës praktike për 900 të rinj, ngjarje kjo e organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Zyra e UNICEF-it në Kosovë.

Në këtë ceremoni, ku të pranishëm ishin edhe Ambasadori i Republikës së Austrisë në Kosovë, z. Christoph Weidinger, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, private dhe publike, Organizatat e Shoqërisë Civile, si dhe 200 të rinj, kryeministri Kurti tha se është kënaqësi të nisim Muajin e Rinisë me kaq shumë të rinj bashkërisht.
“Për mua, çdo mundësi të flas drejtpërdrejt me të rinjtë është e rëndësishme, sepse vendimet që marrim tani dhe në vitet në vazhdim do të formojnë të ardhmen që ata do të trashëgojnë. Me agjendën e këtij Muaji, ne festojmë punën, angazhimin dhe potencialin e kësaj gjenerate”, tha kryeministri Kurti.
Para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha është pak të thuash se jemi krenarë me të rinjtë tanë, që në Kosovë dhe botë, po korrin suksese të njëpasnjëshme në të gjitha fushat dhe sektorët.

Në sport, muzikë dhe film, në biznes, teknologji dhe arsim të lartë, kudo që ata angazhohen, rezultati është arritje e jashtëzakonshme, u shpreh kryeministri Kurti, duke vlerësuar se shteti i Kosovës nuk gëzon ambasadorë më të mirë.

“Falë tyre, emri ‘Republika e Kosovës’ dhe simbolet tona shtetërore vazhdimisht paraqiten krah-për-krah me ato të shteteve më të zhvilluara në arenën ndërkombëtare”, tha kryeministri.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirëdita të gjithëve,
Të rinj pjesëmarrës,
I nderuari ambasadori Weidinger,
I nderuari udhëheqës i UNICEF-it në Kosovë, profesor Shpend Selimi
Të nderuar përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit,
Përfaqësues të institucioneve të tjera në Kosovë,

Thash profesor Selimi meqenëse kur unë isha i ri, si student, Shpend Selimi ishte i ri sikurse tani, dhe ishte profesor i imi e mi mbante disa lëndë, njëra prej tyre ishte Antenat.
E antenat janë të rëndësishme edhe për jetën politike, përveçse për valët elektromagnetike. Faleminderit profesor që na ke mësuar në rini, por edhe për punën që e ke bërë për të rinjtë edhe jashtë universitetit.

S’po dua ta heq kravatën e të jem më i lirë sepse ndoshta pastaj, mund të ndodhë që dikush prej jush të më sfidojë në basketboll pasi që jemi këtu. Njëherë, në po këtë fushë, më priu fati gjatë kohës së zgjedhjeve që para kamerave të shënoj në tentimin e parë. Kush e di çfarë rezultate do kishim në ato zgjedhje pa atë kosh. Prandaj edhe nëse sfidohem në gjuajtje të lira, e sipas probabilitetit mundësia të mos shënojë është më se reale, kërkesa ime për ju do të ishte të mos mbetet asnjë gjurmë që do mund ta shfrytëzonte opozita për kritikat e saj.

Është kënaqësi të gjendem mes jush, të nisim Muajin e Rinisë me kaq shumë të rinj bashkërisht. Për mua, çdo mundësi të flas drejtpërdrejt me të rinjtë është e rëndësishme sepse vendimet që marrim tani dhe në vitet në vazhdim do të formojnë të ardhmen që ata do të trashëgojnë.

Me agjendën e këtij Muaji, ne festojmë punën, angazhimin dhe potencialin e kësaj gjenerate. Është pak të thuash se jemi krenarë me të rinjtë tanë, që në Kosovë dhe botë, po korrin suksese të njëpasnjëshme në të gjitha fushat dhe sektorët. Në sport, muzikë dhe film, në biznes, teknologji dhe arsim të lartë, kudo që ata angazhohen, rezultati është arritje e jashtëzakonshme. Shteti i Kosovës nuk gëzon ambasadorë më të mirë. Falë tyre, emri ‘Republika e Kosovës’ dhe simbolet tona shtetërore vazhdimisht paraqiten krah-për-krah me ato të shteteve më të zhvilluara në arenën ndërkombëtare.

Por përtej paraqitjes jashtë, fuqia e rinisë sonë është brenda kufijve të vendit tonë, për ta formësuar shtetin dhe për të na shtyrë përpara drejt zhvillimit. Sfidat tona më të mëdha do zgjidhen nga ky brez i të rinjve, ndërsa përgjegjësia jonë tani është t’ua largojmë barrierat, t’ua ofrojmë mundësitë dhe hapësirën, dhe t’i pajisim me aftësitë e nevojshme për t’u angazhuar në të gjitha sferat e jetës.

Më shumë se liderët e së nesërmes, të rinjtë janë subjekti i sotëm i ndryshimit që po e kërkojnë të gjithë. Rinia gjithmonë ka qenë zëri i parë dhe më i lartë i avokimit që shoqëritë të përparojnë duke shtyrë kufijtë tanë përtej asaj që u mendua si e mundur nga gjeneratat e mëparshme.

Si kurrë më parë, shteti i Kosovës po investon në potencialin e brezit të ardhshëm. Prioriteti ynë i parë është menaxhimi i pandemisë COVID-19 në mënyrë që të shpëtojmë jetë njerëzish dhe të mbrojmë ekonominë e vendit. Përmes masave mbrojtëse dhe administrimit të vaksinave të siguruara, situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm. Në këtë aspekt, ju si të rinj keni detyrën dhe përgjegjësinë të vaksinoheni sa më parë, nëse këtë nuk e keni bërë ende.

Edhe ekonomia i është përgjigjur pozitivisht qeverisjes sonë. Eksportet, aktiviteti ekonomik dhe të hyrat buxhetore: të gjitha janë rritur. Kemi miratuar projektbuxhet për vitin 2021 prej 2.5 miliardë eurove sipas të cilit projektohet rritje ekonomike për 7.9%. Përpara se të merrnim drejtimin e Qeverisë, ky nivel rritjeje parashihej të arrihej vetëm në vitin 2023.

Pakoja e Ringjalljes Ekonomike që kemi miratuar gjithsej ka vlerën 1.1 miliardë euro. Të rinjtë do të përfitojnë posaçërisht përmes Skemës për Punësim të Garantuar për të Rinjtë, e cila do fillojë të zbatohet së shpejti. Përmes kësaj skeme, Qeveria do t’i subvencionojë pagat dhe kontributet për çdo 12 muaj çdo të ri që punësohet për herë të parë. Po ashtu, në kuadër të Pakos së Ringjalljes, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndajë 2.5 milionë euro në projekte të organizatave dhe individëve ku përfitues dhe pjesëmarrës do të jenë të rinjtë. Një pjesë e mirë e këtij fondi do t’iu dedikohet projekteve që rrisin përfshirjen e të rinjve në tregun e punës përmes trajnimeve, granteve dhe programeve për punë praktike.

Në veçanti ne jemi zotuar për lidhjen e tregut të punës me arsimimin profesional, në mënyrë që ta urëzojmë hendekun e shkathtësive, ashtu që të rinjtë kur ta mbarojnë fakultetin të kenë edhe një vend pune adekuat që lidhet me vitet dhe fushat e studimit.

Të gjitha këto por edhe shumë më tepër në kuadër të programit tonë qeverisës po i bëjmë për të rinjtë, jo vetëm sepse e kemi përgjegjësi, por sepse është interesi ynë më i lartë shtetëror.

Të rinjtë janë grupimi më i madh i fuqisë punëtore të Kosovës dhe çdo përpjekje për të rritur mirëqenien tonë kolektive duhet të synojë mbushjen e çdo të riu me një entuziazëm për të ardhmen që e pret në Kosovë dhe me një garanci se ata mund të krijojnë familje dhe të ndërtojnë të ardhme këtu në vendin e vet.

Shumë prej përpjekjeve tona lehtësohen falë bashkëpunimit me partnerët tanë zhvillimorë, vendorë dhe ndërkombëtarë. Sot, në aktivitetin e parë të Muajit të Rinisë po lansojmë fazën e dytë të Programit të Punës Praktike ‘Kosova Generation Unlimited’ në partneritet me UNICEF dhe Agjencinë Austriake për Zhvillim. Ju që do të përfitoni nga ky program, shpresoj që ta shfrytëzoni si mundësi për t’u sfiduar, rritur e ngritur profesionalisht. Sigurohuni që të jeni aktivë gjatë kësaj kohe duke bërë pyetje vazhdimisht dhe kontribuoni sa më shumë që të mundeni sepse kështu do të merrni më të mirën për vetën tuaj nga secila përvojë. Për punëdhënësit apo ofruesit e praktikës në punë është po aq mundësi e mirë kjo. Sipas raportit të një studimi në Kanada, punëdhënësit shohin një kthim të investimit prej afërsisht 1 dollar e gjysmë për çdo dollar të investuar në praktika pune për të rinjtë, por kjo me kusht se i angazhoni të rinjtë në role produktive ku mund të mësojnë dhe kontribuojnë maksimalisht.

Të dashur të rinj,

Ju jeni rritur në një periudhë me sfida të mëdha – nga lufta për liri kur ishit veçse fëmijë ose ndoshta ende të palindur e i kishit prindërit tuaj në vështirësi e sfida tejet të mëdha, deri në shpalljen e pavarësisë dhe tentimet e pandalshme që nga ajo ditë për ndërtimin e një shoqërie të sigurt, paqësore, demokratike dhe të barabartë. Tash, derisa vazhdojmë të menaxhojmë pandeminë COVID-19 dhe variantet që shpalleshin kohë pas kohe të këtij virusi, dhe teksa përpiqemi të rikuperohemi nga pasojat ekonomike të saj, Kosova hyn në një kapitull të ri me juve në front.
Ta ruajmë paqen, të punojmë për prosperitet, të luftojmë për drejtësi dhe gjithëpërfshirje, dhe ta mposhtim cinizmin me shpresë dhe me optimizëm.

Unë kurrë më i frymëzuar nga ju sesa tani nuk kam qenë. Tashmë e keni hapësirën dhe lirinë për të ndërtuar një të ardhme ashtu siç e meritoni, dhe për këtë, keni mbështetjen tonë të pakusht.
Nëse nuk jemi për rininë, atëherë nuk jemi. Por ne duhet dhe do të jemi me rininë dhe për rininë.

Ju faleminderit.

Next Post

Shkupi i adresave të reja shqiptare, në frymën e Marrëveshjes së Ohrit

Në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ITShKSh-Shkup në bashkëpunim me Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, u mbajt tribuna me temë: “Shkupi i adresave të reja shqiptare, reflektim i frymës së Marrëveshjes së Ohrit”. Drejtori i ITShKSh – Shkup, Skender Asani, tha […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: