Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Me synimin për të qenë vokacioni i së djathtës shqiptare, PLL njofton çeljen e fushatës së anëtarësimeve të reja

1 min read

Pasi ia ka arritur të rikthejë më 25 prill 2021, subjektin e tij politik në Kuvendin e Shqipërisë, duke u përfaqësuar me deputeten më të re, nën siglën e PLL, znjsh. Andia Ulliri, kryelegalisti Axhami, me ambicien dhe vizionin e një politikani të rafinuar dhe të matur, ka njoftuar çeljen e fushatës së anëtarësimeve të reja në PLL, duke qenë kështu një hap vijues i të gjithë proceseve të brendshme organizative me fokus ristrukurimin e plotë dhe dinamizmin politik të kësaj force.

E mirorientuar, dhe me një tradicion të hershëm politik, PLL-ja e Shpetim Axhamit,  jep garancitë e duhura të një subjekti që mban ndezur shpresën e së djathtës reale në skenën politike shqiptare, pasi menjëherë, pas kongresit të 21 nëntorit 2021, ku Axhami mori votëbesimin e strukturave të tij për një mandat tjetër drejtues, ka vijuar me përvijimin dhe shpalosjen e platformës politike të këtij subjekti, duke rikthyer parimet kryesore të së djathtës dhe nocionet e shtetit të së drejtës.

Anëtarësimet e reja që pritet të fillojnë në muajin prill, vijnë në kontekstin e riorganizimit politik dhe rritjes së kredibilitetit politik që PLL-ja shfaq në elektoratin shqiptar, duke dhënë kështu shpresën e rikthimit dhe përfaqësimit të saj si vokacioni real dhe potent i votuesve të djathtë.