Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala vëri në funksion ueb-faqen për raportimin e produkteve të rrezikshme “RAPEX Kosova”. Shala tha se është i kënaqur për nisjen e këtij projekti, i cili sistem mundëson njoftimin e shpejtë përmes ueb-faqes për produktet që paraqesin rrezik serioz për konsumatorët e Republikës së Kosovës.
“Për ne prioritet mbi prioritete është mbrojtja e konsumatorit dhe nga sot, me lansimin e kësaj faqeje, konsumatori ynë do të jetë më i mbrojtur, më i sigurt, në konsumimin e produkteve që tregtohen në vendin tonë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë vazhdon të jetë e përkushtuar dhe këmbëngulëse në realizimin e misionit të saj, kontrollin e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit”, tha ministri Shala.
Shala bëri të ditur se qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, gjatë vitit 2018 MTI ka tërhequr nga tregu produkte të pasigurta në sasi prej 16.213.00 copë. Prej tyre Lodra për Fëmijë ( në sasi prej 15.077 copë) dhe Pajisje Elektrike (në sasi prej 1.135 copë).
“Gjithashtu gjatë këtij viti Qeveria e Republikës së Kosovës në pajtim me obligimet ligjore që dalin nga Ligji për Kërkesat Teknike dhe Vlerësim të Konformitetit, ka themeluar Trupin Koordinues për Mbikëqyrjen e Tregut , e cila trup do të koordinoj aktivitetet për mbikëqyrjen e tregut me qëllim që produktet e vendosura në tregun e Republikës së Kosovës të jenë të sigurta për konsumatorët”, tha ministri.