Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit Bilateral të Mbrojtjes

2 min read

Me nderimet më të larta ushtarake, sot ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, priti në vizitë zyrtare homologun e tij, ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Mario Banozic, të shoqëruar me delegacionin e tij, me ç’rast nënshkruan Marrëveshjen e Bashkëpunimit Bilateral të Mbrojtjes.

Pas takimit kokë më kokë dhe në nivel të dy delegacioneve, të dy ministrat pas aktit të nënshkrimit të Marrëveshjes bilaterale, u deklaruan para mediave të pranishme.

Me këtë rast, ministri Mehaj tha se me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje hapen rrugë për bashkëpunim edhe më të ngushtë në shkollim e trajnim të personelit ushtarak, zhvillimin e stërvitjeve të përbashkëta, mundësi për bashkë-zbarkime në operacione dhe misione ndërkombëtare, bashkëpunim më të theksuar në fushën e industrisë së mbrojtjes, e gjithashtu edhe në fusha të tjera.

Më tej, ministri Mehaj theksoi se: “Marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Kroacisë nuk janë vetëm diplomatike, për më tepër, ato janë miqësore pasi që të dy vendet i bashkon historia, sfidat e përbashkëta e që nënkupton interesa strategjike dhe vizione të përbashkëta, angazhim të përbashkët për çështje rajonale e globale, angazhim e dedikim për paqen e sigurinë e rajonit; e për këtë arsye jemi bashkë në rrugën e të ardhmes”.

Në fjalën e tij, ministri Mehaj shtoi duke thënë se partneriteti me Republikën e Kroacisë është shumë i rëndësishëm pasi që Kroacia është vend anëtar i NATO-s prej më shumë se 11 vjet dhe se Republika e Kosovës e ka të njëjtin synim e aspiratë.

Në anën tjetër, ministri kroat i Mbrojtjes, Banozic, tha se me të dy vendet do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin e mirë jo vetëm në fushën e mbrojtjes por edhe në kontekstin politik dhe ekonomik.

“Republika e Kroacisë e mbështetë rrugëtimin euroatlantik të Kosovës dhe sikurse deri më tani, edhe më tej do të ofrojmë ndihmë të fuqishme në këtë proces. Ne e mbështesim procesin e transformimit të FSK në Forca të Armatosura”, theksoi Banozic.

Gjithashtu, ai tha se dëshiron që sa më shpejt Republika e Kosovës të jetë anëtar me të drejta të plota në organizatat dhe iniciativat rajonale, siç është edhe iniciativa e Kartës së Adriatikut A-5, pasi që sipas tij, kjo është mënyra e duhur për forcimin e dialogut rajonal dhe bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe që mund të jetë pjesë integrale e përgjigjes ndaj sfidave të sigurisë në rajon.

Ministri kroat i Mbrojtjes, Mario Banozic, së bashku me delegacionin e tij, do të vizitojë dhe bëjë nderime në Kompleksin Memorialin “Adem Jashari” në Prekaz.