Një parti e re nga ‘mitra’ e PD, pa Berishën e Bashën dhe me mbi 20 deputetë në Kuvend?!

vull

Ndonëse Lulzim Basha  pas humbjes në zgjedhjet e 25 prillit dhe rizgjedhjes së tij në krye të PD përmes një procesi të dyshimtë e të kontestueshëm deklaron se partia doli më e fortë, demokratët janë të bindur se me këtë ekip drejtues partia më e madhe opozitare nuk vjen kurrë në pushtet.

Përpos debateve, akuzave dhe kundërakuzave mes lidershipit demokrat, ku ish anëtarë kryesie si kandidatët për kryetar Fatbardh Kadilli e Edith Harxhi, por dhe ish sekretari i Përgjithshëm Arben Ristani kanë kërkuar largimin e Bashës nga drejtimi i PD, situata në parti është në ‘vlim’.

Njëherësh kanë filluar dhe dorëheqjet masive, duke e kthyer PD në një arenë “beteje” jo për “masakrën zgjedhore”, term i cili është shuar pas njohjes së zgjedhjeve nga SHBA dhe BE e sidomos pas raportit të OSBE/ODIHR, por me paralajmërimin e ndarjes së partisë në dy pjesë.

Sinjalet e para janë dhënë me dorëheqjet e shumta që kanë përfshirë PD që nga qendra e deri në bazë, duke çuar degët e kësaj partie në buzë të shuarjes.

Rasti më flagrant është dega e PD në Korçë e cila praktikisht mund të quhet e shpërbërë. Pas largimit të ish kreut të PD, Andrea Mano dhe 14 anëtarëve të kryesisë, kanë dhënë dorëheqjen edhe 51 drejtues të strukturave të degëve në të gjithë qarkun.

Kryetarë, Sekretarë dhe Koordinatore të Lidhjes Demokratike të Gruas kanë dhënë dorëheqjen pas largimit më 27 korrik të Manos dhe anëtarëve të kryesisë së PD të qarkut juglindor.

Të larguarit shprehen se kreu i PD, Lulzim Basha me arrogancën e tij po e kthen partinë në klienteliste dhe në funksion të interesave të tij personale.

Për më tepër sipas tyre, s’ka asnjë shpresë që me këtë lidership të mundet Edi Rama dhe opozita të vijë në pushtet në zgjedhjet e radhës.

Këto largime pasojnë ikjet e tjera nga PD, duke filluar nga kreu i grup seksionit 7 në Tiranë Albano Stolaj, pjesë e strukturave të kësaj partie dega 5 e deri tek anëtarë të thjeshtë.

Një tjetër largim i rëndësishëm është edhe ai i anëtarit të FRPD, Ares Ypi, i cili njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se nuk do të jetë më pjesë e strukturave të FRPD dhe PD.

Ndërkohë që dhe në Shkodër largimet nga kandidimet u bënë rrugë që para zgjedhjeve, duke filluar me ish kryetarin Ramiz Çobaj i renditur i teti në listën e kandidatëve dhe për të vazhduar me Helidon Bushatin, deputet i PD, i cili ishte vendosur i katërti në listë nga Basha.

Menjëherë pas zgjedhjeve po në Shkodër dhe nënkryetari i Bashkisë, Arben Gjuraj dha dorëheqjen në mënyrë të papritur. Ai kandidoi për deputet në zgjedhjet e 25 prillit për PD, pasi ishte i renditur në vendin e 11-të dhe arriti të merrte vetëm 1931 vota.

Pas humbjes në zgjedhje edhe Sekretari Organizativ në PD Sahit Dollapi ka dhënë dorëheqjen nga posti, vetëm dy javë pas 25 prillit.

Ndërkohë që dhe sekretari për Burimet Njerëzore në selinë blu, Ervin Minarolli dhe dorëheqjen por vetëm një ditë më pas e ka mohuar largimin e tij nga Partia Demokratike.

Ka dhënë dorëheqjen dhe ish anëtari i këshillit kombëtar të PD Ervin Kulluri, i cili pasi ka falënderuar përkrahësit thotë se largohet nga PD, pasi nuk ka shpresë se gjerat mund të ndryshojnë.

Ka dhe dorëheqje të tjera, të deklarura dhe të padeklaruara, teksa shtuar dhe përjashtimet që Lulzim Basha u ka bërë kritikëve të tij brenda PD, ka krijuar një situatë braktisjeje dhe boshllëku në partinë më të madhe opozitare, aq sa është krijuar ideja se shumë prej anëtarëve të kësaj partie mezi presin të largohen për shkak të humbjes së besimit tek lidershipi politik.

Duke njohur historikun e PD dhe largimet ciklike nga kjo parti në 30 vite, duket si një “film” i parë dhe herë të tjera, kur gjithnjë këto largime, dorëheqje dhe braktisje pa zhurmë kanë paralajmëruar krijimin e një formacioni të ri politik nga “mitra” e PD.

Një fakt të tillë e paralajmëroi dhe ish nënkryetari i kësaj partie, njëherësh ish president dhe ish kryetar i FRD Bamir Topi i cili në një intervistë televizive deklaroi se më shumë se gjysma e grupit të ri parlamentar të PD që pritet të certifikohet në shtator, të largohet nga PD për të formuar një formacion të ri politik.

Shkak për krijimin e këtij grupimi të ri politik, i dalë nga gjiri i PD thuhet se është kokëfortësia e Sali Berishës për të marrë mandatin e deputetit përkundër kërkesës së SHBA pas shpalljes së tij “non grata” nga DASH, dhe frika e hyrjes së PD në një “cirkuit” të ri përplasjeje dhe konflikti me aleatin më të madh të shqiptarëve.

Mësohet se sëpaku 28 deputetë janë të gatshëm për të provuar një shans të ri jashtë PD, nëse Berisha vijon të drejtojë këtë parti për të shpëtuar nga problemet e tij me SHBA e me drejtësinë, duke krijuar në këtë mënyrë dhe bërthamën e një partie të re të djathtë politike.

Rreth këtij grupimi pritet të mblidhen të gjithë të dorëhequrit dhe të përjashtuarit nga PD, duke e ndarë këtë parti në rastin më të mirë, në dy pjesë. Siç mësohet, në themel të strategjisë dhe objektivit të partisë së re që pritet të dalë nga PD qëndron aleanca e fortë me SHBA dhe BE, si dhe lufta pa kompromis ndaj qeverisë së maxhorancës së majtë dhe Edi Ramës për të afruar ditët e ardhjes së opozitës në pushtet.

Teksa e cilësojnë Lulzim Bashën jo vetëm të paaftë për të drejtuar PD drejt pushtetit dhe për të distancuar partinë nga Sali Berisha që është kthyer në një “barrë” e rëndë për partinë për hallet e tij personale, por dhe si të kapur financiarisht nga ana e pushtetit, pra si të shitur për interesa personale, grupimi i ri politik në formatim e sipër, paralajmëron se do të zërë një vend të rëndësishëm në pozicionin e opozitës shqiptare, pozicion i cili deri më sot është lënë “vakant” nga ana e Lulzim Bashës.

Mesi i shtatorit pritet të konturojë dhe “indetikitin” e grupimit të ri politik të dalë nga PD, gjithnjë në varësi të distancimit të Bashës e PD nga Sali Berisha, grupim i cili do të shoqërohet dhe me largime të tjera nga PD, që nga qendra e deri në bazë.

Nuk përjashtohet mundësia që rreth këtij grupimi politik, me një fuqi parlamentare të madhe në Kuvend, të afrohen dhe të larguarit e mëhershëm të figurave kryesore nga Basha, duke përfshirë këtu Jozefina Topallin, Astrit Patozin, Arben Imamin, Arben Ristanin dhe ish zyrtarë të tjerë të kësaj partie.

Të cilët dhe nëse nuk bashkohen drejtpërdrejt me grupimin e ri, do të formatojnë një tip koalicioni, të ngjashëm me SYRIZA-n e Tsipras në Greqi, jo për nga ideologjia por për nga mënyra e funksionimit, duke operuar si fraksione brenda një grupimi të madh dhe me të njejtin emër.

Megjithatë, mbetet për të parë deri në shtator, ndërkohë që të gjitha gjasat janë që grupimi i ri politik të zërë vend në hapësirën politike shqiptare shumë shpejt, çka nënkupton një dobësim të fortë të krahut radikal në PD, të drejtuar nga Berisha dhe Basha.

Duke i dhënë më shumë shanse grupit të ri politik të orientuar drejt SHBA e BE, pro Reformës në Drejtësi dhe reformave të tjera integruese të mbështetura dhe nga partnerët tanë kryesorë ndërkombëtarë.

Next Post

Në “Tabanoc” pritet rreth 20 minuta

Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit në rrugët jashtë mjediseve urbane është mesatar.Në kalimin kufitar Tabanoc shënohet frekuencë e shtuar, koha e pritjes për hyrje dhe dalje nga shteti është rreth 20 minuta. Në vendkalimet tjera kufitare nga ana e Maqedonisë […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: