Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Policia e Kosovës demanton se ka policë të plagosur, janë sulmuar qytetarë shqiptarë dhe u janë demoluar veturat

2 min read
INFORMACION ZYRTAR (nr.3)
Prishtinë, 31 korrik 2022
Policia e Kosovës ka siguruar informacione zyrtare se në disa lokacione janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ku disa prej të shtënave kanë qenë në drejtim të njësiteve policore, por fatmirësisht nuk ka të plagosur.
Po ashtu janë siguruar informacione nga ana e qytetarëve se ka raste ku janë ndaluar dhe maltretuar qytetarë shqiptarë, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve.
INFORMACION ZYRTAR (nr.2)
Prishtinë, 31 korrik 2022
Referuar informacioneve zyrtare të deritanishme, vazhdojnë bllokimet e rrugëve në disa lokacione të ndryshme në Veri të Mitrovicës në drejtim të dy pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak, të cilat pika janë mbyllur për qarkullim.
Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për ndonjë plagosje të qytetarëve apo të ndonjë zyrtari policorë, andaj ftojmë dhe iu bëjmë thirrje të gjitha mediave dhe qytetarëve që të mos bien pre e informacioneve-lajme të rreme, të cilat kanë tendencë destabilizimin e situatës dhe krijimin e panikut.
Policia e Kosovës vazhdon angazhimet e saja me njësitet policore, në ofrim e sigurisë për të gjithë qytetarët pa dallime, në interes të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike.
INFORMACION ZYRTAR (nr.1)
Prishtinë, 31 korrik 2022
Policia e Kosovës ka mbyllur kufirin për qarkullim udhëtar dhe për automjete në pikë kalimet kufitare Bernjak dhe Jarinje, për shkak të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre pikë kalimeve kufitare Jarinje dhe Bernjak.
Njoftohen të gjithë qytetarët të shfrytëzojnë pikat tjera kufitare për qarkullim.