Studentët e Edukimit special dhe rehabilitimit e përmbyllën më sukses vizitën e tyre studimore në Turqi

vull

Qytetin e Turqisë, Stambollin, përkatësisht Komunën e Yskydarit, prej 18 deri 20 prill 2019, e vizituan absolventët e programit studimor të Edukimit special dhe rehabilitimit të Fakultetit Pedagogjik të UT-së.

Profesorët e këtij programi studimor theksojnë se duke i njohur arritjet dhe sukseset e ekspertëve shembullorë nga Turqia, të cilët shpeshherë i vizitojnë vendet tona, që të ofrojnë njohuri dhe t’i ndajnë përvojat e tyre me profesionistët dhe studentët shqiptarë, vendosëm që ta realizojmë një ekskursion studimor, që studentët tanë të njihen me përvoja të reja që do t’u shërbejnë për të ardhmen e tyre profesionale.

Agjendën e vizitës studimore studentët dhe profesorët e UT-së e filluan me pritjen zyrtare nga kryetari i Komunës së Yskydarit, Hilmi Türkmen dhe drejtori i Arsimit i Qarkut në këtë qytet.

Pas këtij takimi të rëndësishëm, ata i vizituan disa qendra e shkolla që ofrojnë shërbime për personat me nevoja të veçanta, ku patën rastin të njihen me programet që i aplikojnë, trajtimin dhe barërat mjekësorë që përdoren për mjekimin e  personave me aftësi të veçanta.

Nga institucionet shtetërore që studentët tanë i vizituan dhe u njohën nga afër me veprimtarinë e tyre, mund të veçohen: shkolla për Aftësim Profesional Special, ku personat me nevoja të veçanta zgjidhnin dhe orientoheshin për profesionin e tyre për t’u punësuar në të ardhmen; shkolla fillore dhe e mesme për Personat e Verbër;  shkolla për nxënësit me Dëmtime të Shumëfishta “Turkan Sabanci” dhe qendra ditore për personat me nevoja të veçanta “Engelsiz Yaşam Merkezi” etj.

Në përmbyllje të vizitës në Republikën e Turqisë, në Yskudar, përkatësisht  në shkollën për Aftësim Profesional Special, u mbajt një seminar për autizmin dhe trurin, trajtimin dhe teknikat ndaj sjelljes së fëmijëve me autizëm. Në këtë seminar ligjëruan specialistët Ümit Savaş Taşkesen dhe Imail Tuna, të cilët kishin udhëtuar nga Konya vetëm për studentët e katedrës për Edukimit Special dhe Rehabilitim të Universitetit të Tetovës.

Gjithashtu, disa prej studentëve patën mundësinë të vëzhgojnë  seanca shkencore nga Ahmet Yalçın Hocaoğlu, i cili aplikon një qasje të rrallë dhe shumë efikase ndaj fëmijëve me autizëm.

Prodekani për Arsim i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Bunjamin Memedi, vizitën studimore në Turqi e konsideron të rëndësishme për studentët të cilët kthehen me njohuri të reja se si duhet trajtuar personat me aftësi të veçanta. Ai, po ashtu i falënderon drejtuesit e Universitetit të Tetovës që mundësuan realizimin e këtij ekskursioni, si dhe Myftininë e Bashkësisë Islame në Tetovë, gjegjësisht Prof. Dr. Qani Nesimin, që e mbështetën vizitën studimore të studentëve të UT-së në Republikën e Turqisë.

Next Post

UT organizoi lojëra sportive për maturantët

Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit të Tetovës, më 24 prill 2019, për maturantët e qytetit të Tetovës organizoi lojëra në disiplina të ndryshme sportive. Kjo ngjarje sportive u organizua në kuadër të aktiviteteve për prezantimin e ofertës akademike për vitin 2019/2020. Dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike i UT-së, […]

Subscribe US Now