Rama nderohet me Medaljen Presidenciale të Izraelit: në një listë me emra si Obama dhe Merkel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është nderuar me Medaljen Presidenciale të Nderit nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Rezidencën Presidenciale në Jeruzalem. Ky çmim i lartë, që më parë u është dhënë liderëve botërorë si Barack Obama, Angela Merkel dhe Joe Biden, vlerëson kontributin e jashtëzakonshëm të Ramës për forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Izraelit, si dhe për promovimin e vlerave demokratike dhe tolerancës.

 

Gjatë ceremonisë, Presidenti Herzog theksoi se shpërblimi i akordohet liderëve që ndriçojnë botën me integritet, guxim moral dhe përkushtim ndaj paqes. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e popullit shqiptar gjatë Holokaustit, duke përmendur besën shqiptare si simbol të nderit dhe mbrojtjes së jetës njerëzore. Sipas tij, kjo trashëgimi kulturore e shqiptareve gjen jehonë edhe në udhëheqjen e Ramës sot.

 

Herzog kujtoi vizitën e tij në Tiranë dhe përmendi me emocion gjestin e Ramës ndaj nënës së një pengu izraelit të mbajtur nga Hamasi, duke theksuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj humanizmit dhe drejtësisë. Ai përgëzoi gjithashtu bashkëpunimin në rritje mes dy vendeve, përfshirë marrëveshjen për projektin e përbashkët mjekësor dhe linjën direkte ajrore Tiranë–Tel Aviv.

 

Në përmbyllje, Presidenti i Izraelit bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve izraelite, ndërsa shprehu shpresën që miqësia mes Shqipërisë dhe Izraelit të mbetet një simbol i vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit mes kombeve në kohë të vështira.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights