Rama në Bruksel: Hapim kapituj të rinj në negociata – synojmë përmbylljen deri në vitin 2027

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi sot një takim në Bruksel me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, me të cilin diskutoi progresin e Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Takimi u zhvillua në kuadër të Konferencës së katërt Ndërqeveritare, ku Shqipëria hap zyrtarisht një tjetër grup-kapitujsh.

Në një prononcim të përbashkët për mediat, Rama u shpreh se dita e sotme përbën një tjetër hap përpara në rrugën drejt BE-së, ndërsa vlerësoi angazhimin e Presidentit Costa për rajonin.

“Jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu me Presidentin e Këshillit Europian. Sot është një ditë shumë e mirë për Shqipërinë, pasi hapim kapituj të tjerë në negociata. Me Presidentin Costa biseduam për progresin që kemi bërë dhe për përgatitjet për Samitin e Komunitetit Politik Europian më 16 maj”, u shpreh Rama.

Gjatë takimit, u diskutua edhe për situatën në rajon, për të cilën Presidenti Costa pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare në ditët në vijim.

Rama theksoi përkushtimin maksimal të qeverisë shqiptare për të përmbushur të gjitha detyrimet e kalendarit negociues, me synimin për të mbyllur negociatat deri në vitin 2027.

“Jemi tej mase të përkushtuar për të përmbushur të gjitha detyrat e një kalendari shumë ambicioz për përmbylljen e negociatave brenda vitit 2027”, deklaroi Kryeministri.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights