Rama: Ne shqiptarët kemi dy shtete dhe katër kryeministra në Ballkan
2 min read
Kryeministri shqiptar Edi Rama, i cili po qëndron në Britaninë e Madhe, gjatë një diskutimi në sallën e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, korrigjoi një ish-deputet të Parlamentit Evropian që përdori fjalën “Kosovo”, duke thënë se duhet thënë ” Kosova”, transmeton “Reporters”.
Rama tha se serbët thonë Kosovo.
– Së pari, nuk është Kosovo, por Kosova. Serbët e quajnë Kosovo, e ju qëndroni për pavarësinë e Kosovës. Nuk ke faj sepse propaganda e ka bere punen e saj. Dhe unë ndonjëherë them Kosovo, por është Kosovë – tha Rama.
Ai po ashtu tha se Shqipëria dhe Kosova janë njësoj dhe se janë një komb.
– Kosova nuk është vend mik, është vëllazëror, jemi të njëjtë dhe për arsye të caktuara jemi popull që jetojmë në dy shtete. Ne shqiptarët kemi dy shtete dhe katër kryeministra në Ballkan. Ne bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndihmuar ata, sigurisht që mirëpresim çdo gjë që ata mund të bëjnë për të na ndihmuar. Ne jemi njësoj, kemi vetëm një kufi, kemi disa rregulla që duhet t’i respektojmë, por jemi të njëjtë – tha Rama.