Reperi Fero akuzon për mashtrim dhe thotë se është tradhtuar nga motra e presidentes

Reperi i njohur, Fero, ka bërë një reagim publik përmes rrjeteve sociale, ku ka ndarë shqetësimet e tij mbi mungesën e të drejtës për të parë vajzën e tij, Ninën si dhe ka hedhur akuza të rënda drejtuar motrës së presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.

Fero theksoi se po përballet me një padrejtësi të rëndë dhe se ndihet i pafuqishëm për shkak të pamundësisë për të pasur kontakt me vajzën e tij. Ai kritikoi sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke thënë se po i bëhet një mashtrim profesional nga ana e motrës së presidentes.

Reagimi plotë: 

Deklaratë Publike
Mashtrimi Profesional nga Motra e Presidentes

Në cilësinë e prindit të vajzës sime të mitur, Nina Shabani, kam qenë në kërkim të vazhdueshëm të kontaktit me vajzën përmes Qendrës për Punë Sociale në Gjilan, si dhe përmes përfaqësuesve ligjorë të palës tjetër.
Avokatja Blinera Osmani – motra e Presidentes së Kosovës – më ka premtuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se, nëse nënshkruaj një marrëveshje, do të më mundësohej kontaktimi dhe takimi me vajzën time të mitur, për të cilën momentalisht nuk kam as informata të sakta lidhur me vendndodhjen e saj.

Duke qenë në një gjendje të rënduar emocionale, pasi nuk e kam takuar vajzën time që nga muaji tetor i vitit të kaluar, kam vepruar me besim të plotë ndaj çdo fjale të thënë nga përfaqësuesja ligjore e palës tjetër. Kam nënshkruar marrëveshjen pa asnjë kusht tjetër, me shpresën dhe bindjen se do të më mundësohej kontakti me vajzën time. Pasi kam nënshkruar marrëveshjen dhe kam përmbushur çdo kërkesë të palës tjetër, i jam drejtuar avokates për realizimin e premtimit – takimin me vajzën. Në përgjigje, ajo është shprehur se klientja e saj nuk po i lajmërohet dhe se nuk di çfarë të bëjë më tej, duke u tërhequr nga çdo përgjegjësi për zotimin e dhënë ndaj meje.

Ndërkohë, Gjykata Themelore e Gjilanit është në një gjumë të thellë që nga tetori i vitit të kaluar dhe nuk ka marrë ende masat e duhura as për të përcaktuar se ku ndodhet vajza ime, as për të mundësuar realizimin e kontaktit mes meje dhe saj.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights