Sarajevë, arrestohet ministrja e Shkencës për punësime të paligjshme

Ministrja për Shkencë, Arsimin e Lartë dhe Rininë në Qeverinë e Kantonit të Sarajevës, Adna Mesihoviq, dhe ndihmësja e saj, Dženita Viteškiq nga partia “Për gjenerata të reja”, janë arrestuar sot nën dyshimin se kanë punësuar në mënyrë të paligjshme disa persona.
Njëra prej personave të punësuar në mënyrë të jashtëligjshme është edhe kolegia e tyre partiake, Arijana Turkoviq.
Zëdhënësja e Prokurorisë së Kantonit të Sarajevës, Azra Bavçiq, deklaroi për gazetarët se Mesihoviq dhe Viteškiq dyshohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autorizimeve.
Bavçiq shtoi se janë kontrolluar banesat e të dyshuara dhe zyrat e Ministrisë, si dhe është konfiskuar dokumentacioni dhe materiale të tjera që mund të shërbejnë në procedurën penale.