Sejdiu: Bllokada në Kuvend po dëmton stabilitetin dhe besimin në demokraci

Në kohën kur legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës po përballet me dështimin e 21-të për t’u konstituuar, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar, duke e cilësuar si një gjendje të pazakonshme institucionale dhe politike.

Sipas Sejdiut, refuzimi i vazhdueshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit tregon mungesë të konsensusit dhe gatishmërisë për kompromis nga subjektet politike, gjë që po ndikon negativisht në stabilitetin institucional dhe besimin e qytetarëve në proceset demokratike.

“Është nevojë urgjente që pozita dhe opozita të tregojnë maturi politike dhe fleksibilitet, duke u angazhuar në dialog serioz për të arritur një marrëveshje”, ka shkruar Sejdiu në një reagim publik.

Ai paralajmëroi se nëse kriza vazhdon, vendi mund të përballet me pasoja të rënda si: zgjedhje të parakohshme, krizë besueshmërie ndaj institucioneve dhe dëmtim të imazhit ndërkombëtar të Kosovës.

“Vetëm përmes paqes publike, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit mund të ndërtojmë një të ardhme të sigurt dhe të qëndrueshme për vendin tonë”, ka theksuar ai.

Sejdiu apelon për kthim të përgjegjësisë institucionale dhe përpjekje të sinqerta ndërpartiake që do t’u përgjigjen pritjeve të qytetarëve për zhvillim, stabilitet dhe përparim demokratik.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights