Koha News

Ke Çfarë Lexon!

Shaqiri për nxënësit: ruani paqen në veten tuaj dhe  mjedisin në të cilin po  rriteni, sepse është  gjë e çmuar

2 min read

Bëhuni tolerantë, bëhuni korrekt ndaj moshatarëve tuaj, ndihmoni në vend që ta vështirësoni, tallni e sulmoni si dhe ruani qetësinë sikurse në veten tuaj poashtu edhe në shkolla dhe në përgjithësi në mjedisin ku jetoni dhe rriteni sepse është një gjë shumë e çmuar. Kjo është porosia që ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri ua dërgoi  nxënësve të shkollave të mesme, të cilët ishin pjesë e debatit në Fakultetin Filozofik në Shkup kushtuar sigurisë në shkolla.

 

“Unë besoj në pjekurinë tuaj, në kreativitetin  dhe iniciativën tuaj dhe e di mirë që mund të ofroni shumë që të përforcojmë sistemin e sigurisë në shkolla dhe për të gjetur mënyra për të promovuar dhe përhapur më shumë tolerancën, respektin dhe dashurinë ndërmjet të gjithë të rinjve” u shpreh Shaqiri, duke shtuar se diskutimet e shpeshta dhe debatet e gjera janë mënyra më e mirë për të krijuar ide, masa dhe aktivitete të reja që do të plotësojnë mekanizmin ekzistues institucional për ruajtjen e sigurisë në shkolla dhe për krijimin e mjedisit paqësor.

 

“Tanimë  të gjithë jeni të njoftuar  me rekomandimet që Qeveria miratoi javën e kaluar, të cilat u propozuan nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila, nga ana tjetër, i krijoi ato përmes një procesi të gjerë konsultativ në të cilin, natyrisht, nxënësit e shkollave të mesme përmes Unionit të tyre dhanë  kontribut të madh dhe në fakt një pjesë e atyre 10-të  rekomandimeve janë propozuar nga kjo organizatë. Kështu që kam arsye të besoj në konstruktivitetin dhe efektivitetin e debatit të sotëm” potencoi ministri i Arsimit dhe Shkencës

 

Ai theksoi se gjithçka që do të dalë si propozim interesant nga diskutimi mund të gjendet në  seancë qeveritare  dhe të miratohet si shtesë në grupin e masave me të cilat, siç theksoi ai do të përpiqemi  për pranimin e vlerave të vërteta ndërmjet nxënësve ndërmjet juve të rinj që do t’i bëjnë ata njerëz të mirë të cilët më tej do të ndërtojnë  një shoqëri paqësore dhe harmonike.

 

Verified by MonsterInsights