Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Shaqiri: Po ndërtojmë sistem që siguron zhvillim të vazhdueshëm të arsimit të lartë dhe shkencës

2 min read

Sot Fakulteti i Arkitekturës është institucion i arsimit të lartë që përgatit kuadër nga fusha e arkitekturës dhe urbanistikës, me kushte bashkëkohore  për studentët dhe mundësi për realizimin e projekteve ndërkombëtare si dhe mundësi për zhvillimin dhe avancimin e kuadrit mësimor. Gjatë studimeve të integruara pesëvjeçare të ciklit të parë dhe të dytë, studentët mësojnë se si ta bëjnë hapësirën një vend të përshtatshëm për të jetuar, duke e përshtatur atë sipas prioriteteve njerëzore dhe mund të përvetësojnë njohuritë e tyre duke vazhduar studimet e doktoratës.  Kështu theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri në shënimin e përvjetorit të Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin “Shën  Qirili dhe Metodi” në Shkup, duke treguar se detyra e Ministrisë është që t’iu mundësojë studentëve ta ndjekin me sukses rrugëtimin.

 

“Qëllimi strategjik i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe i Qeverisë është ndërtimi i një sistemi që siguron zhvillim të vazhdueshëm të arsimit të lartë dhe shkencës. Tashmë është duke funksionuar Këshilli Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor, ku bashkërisht bëjmë pyetje, debatojmë dhe ofrojmë përgjigje, me qëllim të promovimit të  arsimit të lartë dhe intensifikimin e kërkimit shkencor. Të gjitha përpjekjet duhet të rezultojnë në arsim të lartë më të mirë dhe më tërheqës, si për studentët vendas poashtu edhe për studentët e huaj”, theksoi  ministri .

 

Me  konsultim të gjerë me universitetet, institucionet e arsimit të lartë, studentët, Konferencën Ndëruniversitare, ASHAM dhe komunitetin e biznesit, hartohet Programi Kombëtar për Arsimin e Lartë dhe përcaktohet mënyra e re e financimit të arsimit të lartë.

 

“Në pjesën e standardit të studentëve me konkursin e ri për bursa do të plotësojmë nevojat e shumë të rinjve dhe përveç 10 kategorive ekzistuese të bursave për ciklin e parë të studimeve, po prezantojmë disa kategori të reja, për profesionet për të cilat ekziston nevoja sociale. Që nga viti i kaluar, shumat e bursave janë rritur ndjeshëm. Edhe studentët e ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve do të kenë mundësi të aplikojnë për bursa këtë vit”, theksoi ministri Shaqiri.

Kapitali  njerëzor është i rëndësishëm për të ardhmen premtuese të vendit dhe për këtë arsye, siç theksoi ministri, inkurajohet edukimi akademik dhe pritet që Fakulteti i Arkitekturës të vazhdojë me përgatitjen e suksesshme të arkitektëve të aftë për zgjidhje kritike, të pavarura dhe kreative të komplekseve arkitekturore, urbane dhe sfidat e ndërlidhura me planifikimin hapësinor.