Shkup, Fetai: Demokracia nuk mbrohet vetë — kërkon vullnet dhe integritet

“Demokracia nuk mbrohet vetë — kërkon vullnet politik, financim dhe integritet”. Me këtë mesazh të fuqishëm, zëvendëskryeministri Arben Fetai iu drejtua konferencës rajonale “Integriteti Global nën Rrethim: Inovacion kundër Pushtetit të Paligjshëm”, organizuar nga rrjeti SELDI dhe mikpritur nga Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar (MCMS).
Në panelin e nivelit të lartë, së bashku me ambasadoren e Zvicrës, Véronique Hulmann, zv.shefen e misionit të SHBA-ve, Nicole Varnes, dhe përfaqësuesin e Holandës, Bart de Bruijn, Fetai theksoi se korrupsioni është një nga kërcënimet më serioze për demokracinë nga brenda, ndërsa ndikimet e jashtme malinje synojnë ta destabilizojnë atë nga jashtë.
“Po, mungesa e mbështetjes së jashtme ndjehet. Por kemi diçka më të fuqishme: vullnetin politik për të vepruar”, deklaroi Fetai, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë për reforma të thella dhe ndryshime reale në sistem.
Ai prezantoi katër shtyllat kryesore të agjendës së re qeveritare:
-
Partneritet i qëndrueshëm me shoqërinë civile në mbrojtje të demokracisë;
-
Forcimi i ligjit dhe i institucioneve antikorrupsion;
-
Digjitalizimi i administratës publike për të eliminuar hapësirat për abuzim;
-
Reformë të thellë në drejtësi, për të siguruar barazi para ligjit për të gjithë.
“Pa drejtësi nuk ka demokraci. Pa drejtësi nuk ka Europë. Kjo është rruga jonë. Dhe nuk do të ndalemi”, përmbylli fjalën e tij Fetai.
Konferenca u zhvillua në kuadër të përpjekjeve rajonale për të përforcuar sundimin e ligjit dhe për t’u përballur me sfidat ndaj integritetit në Ballkanin Perëndimor.