Shkup, ndryshimet në ligjin për vetëqeverisje lokale hapin rrugën për referendum ndaj kryetarëve të komunave

Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi sot propozim-ndryshimet në Ligjin për vetëqeverisje lokale, me të cilat parashihen masa të reja për forcimin e demokracisë lokale dhe rritjen e efikasitetit komunal. Ndryshimet përfshijnë mundësinë e referendumit për shkarkimin e kryetarëve të komunave, krijimin e një policie komunale dhe rritje të pjesëmarrjes së sektorit civil në vendimmarrje në nivel lokal.

Propozim-ndryshimet do të kalojnë në procedurë parlamentare dhe nëse miratohen deri në verë, do të zbatohen për kryetarët e rinj që do të zgjidhen në zgjedhjet lokale të tetorit.

Sipas Qeverisë, ndryshimet synojnë të përmirësojnë funksionimin e komunave, transparencën, përfshirjen qytetare dhe efikasitetin administrativ. Një nga risitë më të rëndësishme është mundësia që 20 për qind e qytetarëve të një komune të kërkojnë referendum për shkarkimin e kryetarit të saj.

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, sqaroi se këto ndryshime nuk do të kenë efekt të prapavijshëm, që do të thotë se kryetarët aktualë nuk mund të shkarkohen me ligjin e ri.

Nga Asociacioni i Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (ZELS) përshëndetën kalimin e propozim-ligjit në Qeveri, duke veçuar themelimin e policisë komunale si një kërkesë të kahmotshme të tyre. Ata shprehën shpresë se Kuvendi do ta miratojë sa më shpejt këtë ligj për të mundësuar shërbime më cilësore për qytetarët.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights