Shkup, transportuesit privat paralajmërojnë ndërprerje qarkullimi për shkak të borxheve

Transportuesit privatë në Shkup paralajmërojnë se mund të ndalojnë qarkullimin në çdo moment për shkak të mosshlyerjes së borxheve nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP). Ata deklarojnë se nuk janë paguar për asnjë muaj të vitit 2025, ndërsa kanë edhe muaj të papaguar nga viti 2024. “Premtime ka, por realizime jo. Ne s’mund të funksionojmë pa mjete, mendojmë të ndalojmë punën”, deklaroi transportuesi privat Uzeir Ameti.
Kjo situatë rëndon mbi qytetarët dhe nxënësit që mbështeten në transportin urban për lëvizje ditore. Ata fajësojnë NQP-në dhe Qytetin e Shkupit për neglizhencë dhe mungesë zgjidhjeje. “Nuk mund të varen nga NQP-ja për pagesa, ata kanë nevojë për para për derivate”, tha një qytetar, ndërsa një tjetër theksoi problemin me vonesat dhe mungesën e linjave në Studeniçan.
Ndërkohë, as Ndërmarrja e Qarkullimit Publik dhe as autoritetet e qytetit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje zyrtare mbi këtë situatë. Mbetet të shihet në ditët në vijim nëse do të rikthehet kaosi i transportit publik në kryeqytet.