Home / Opinioni / Shpenzim Beadini: Kapitali intelektual, faktorë primar në përfitimin dhe ruajtjen e aftësive konkurruese në tregun dinamik

Shpenzim Beadini: Kapitali intelektual, faktorë primar në përfitimin dhe ruajtjen e aftësive konkurruese në tregun dinamik

Kapitali intelektual është dituria e të punësuarave të cilën e shndërrojnë në vlerë të tregut. Në treg mund të ekzistojnë shumë njerëz të ditur, por në qoftë se ata nuk arrijnë t’ia shesin intelektin e tyre ndonjë subjekti të caktuar, atëherë kjo dije e tyre nuk mund të quhet kapital intelektual.
Qëllimi i shkencës ekonomike, është rritja e fuqisë së prodhimit dhe ofrimi i shërbimit për shoqërinë. Dhe ajo që është përcaktuese në zhvillimin ekonomik nuk është vetëm kapitali financiar, por edhe ai mendor, intelektual. Proverba shqiptare se “më mirë të dish se sa të kesh”, edhe pse i takon një periudhe të hershme, tingëllon bukur edhe sot. Këtu nuk është fjala se populli është pro skamjes, por thellësia e kësaj thënie qëndron në faktin se një njeri që nuk di, edhe miliarda të ketë në dorë, i shpenzon pa kriter, pa vizion dhe jo në drejtimet e duhura. Prandaj kapitali intelektual i një vendi është kapitali më i çmuar, përbëhet nga njerëzit më të “bukur” të atij vendi ku reflektohet te insistimi për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, me anë të njohurive shkencore dhe largpamësisë që ata zotërojnë.
Teknologjia dhe dija konsiderohen tashmë si faktorët çelës të zhvillimit ekonomik. Në këtë aspekt, të gjitha vendet e zhvilluara kanë ndërtuar një sistem të plotë indikatorësh për të matur efektin e përdorimit të këtij kapitali në vendin e tyre. Në Gjermani është normale të analizohet se sa për qind e rritjes së prodhimit ka ardhur si pasojë e efektit të kapitalit intelektual, në Francë sa ka ndikuar cilësia e ekonomisë së dijes në përballjen me efektet e globalizimit, në Japoni sa për qind e aftësisë konkurruese të ekonomisë japoneze varet direkt nga kapitali intelektual, në Slloveni sa për qind e kostos së integrimit evropian të vendit u përballua nga kapitali dije, etj. Kurse kur është fjala për Republikën e Maqedonisë si vend që pretendon zhvillimin, fatkeqësisht në këtë vend analizohet sa përqind e kapitalit intelektual largohen nga vendi drejtë vendeve të Bashkimit Evropian. Edhe pse nuk ekziston ndonjë statistikë e saktë për numrin e të larguarve në 15 vitet e fundit, raportet e ndryshme të Bankës Botërore tregojnë se Maqedonia po e humb pjesën më vitale të popullsisë. Hulumtimet më të reja tregojnë se mbi 80% e kapitalit intelektual do të largoheshin nga Maqedonia, sapo të ju jepej mundësia. Kjo dukuri nëse për një periudhë të shkurtër nuk stopohet, me marrjen e masave nga ana e shtetit, atëherë dëmet do të jenë të pa imagjinueshme.
Unë mendoj që kapitali intelektual në vendin tonë, duhet të shndërrohet në faktorë primar në përfitimin dhe ruajtjen e aftësive konkurruese në tregun tonë. Pra, në ekonominë e diturisë resursi kryesore për subjektin/institucionin duhet të paraqitet punëtori i ditur. Njëherit ky grup i fuqisë punëtore sipas të dhënave në vendet e BE-së është grupi më i kërkuar në tregun e punës dhe njëkohësisht është duke përjetuar ngritjen më të madhe në punësim. Kjo atmosferë e cila mbizotëron në vendet e BE-së, ndikon drejtëpersëdrejti në largimin e kapitalit intelektual nga vendi ynë.
Loading...