Shqipëri, mbi 142 mijë turistë të huaj në dy muajt e parë të 2025-ës

Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të turizmit hyrës në muajin shkurt 2025, me rreth 73 mijë turistë të huaj që vizituan vendin, duke shënuar një rritje prej afërsisht 32% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas raportit të publikuar nga INSTAT për strukturat akomoduese, në dy muajt e parë të këtij viti, vendi është vizituar nga rreth 142 mijë vizitorë jorezidentë, me një rritje vjetore prej 38%. Këto shifra reflektojnë një trend të qëndrueshëm në rritje të turizmit, sidomos nga tregjet kryesore të rajonit dhe të Europës.
Pjesa më e madhe e turistëve jorezidentë që janë akomoduar në strukturat pritëse në Shqipëri vijnë nga Italia (22%), Kosova (16%) dhe Gjermania (7%). Mbretëria e Bashkuar dhe Franca përfaqësojnë përkatësisht 6% dhe 4% të turistëve, ndërsa 45% vijnë nga vende të tjera.
Edhe pse norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele ra lehtë në 16,5% (nga 16,7% në shkurtin e vitit të kaluar), rritja e vizitorëve dhe netëqëndrimeve është e dukshme. Vizitorët gjithsej u rritën me 29,9%, ku vizitorët jorezidentë patën një rritje prej 32,2% dhe ata rezidentë 26,4%.
Po ashtu, numri i netëqëndrimeve në strukturat akomoduese shënoi rritje prej 34,2%, me një rritje të netëqëndrimeve nga vizitorët jorezidentë me 35,4% dhe nga ata rezidentë me 32,0%.
Ky zhvillim është tregues i rritjes së atraktivitetit të Shqipërisë si destinacion turistik, duke konsoliduar pozitën e saj në hartën turistike të rajonit.