Shqipëria, destinacioni i preferuar i turistëve austriakë: Rritet popullariteti dhe investimet në turizëm

Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet mes turistëve austriakë, falë bregdetit mahnitës, natyrës së paprekur dhe çmimeve konkurruese. Sipas revistës globale “DailyWrap”, vendi ynë është renditur i shtati në vitin 2024 mes destinacioneve më të njohura për udhëtime ndërkombëtare, duke kapërcyer Qipron.
Krahasuar shpesh me Kroacinë për bukurinë natyrore dhe plazhet e kristalta, Shqipëria ofron çmime shumë më të favorshme për turistët. Peizazhet e Ksamilit, të cilat ngjasojnë me Karaibet, janë një nga pikat më tërheqëse për pushuesit, së bashku me bregdetin e Vlorës, Sarandës dhe Dhermiut.
Sipas ekspertëve të turizmit, Shqipëria po investon vazhdimisht në infrastrukturë dhe në zgjerimin e ofertave turistike. Zinxhirët ndërkombëtarë të hoteleve po shtojnë praninë e tyre, ndërsa aeroportet dhe linjat ajrore me kosto të ulët kanë lehtësuar aksesin në vend.
Çmimet mbeten një tjetër faktor tërheqës për turistët. Një javë pushime në Shqipëri me mëngjes për turistët austriakë kushton nga 270 euro për person, ndërsa opsioni “all inclusive” fillon nga 385 euro.
Me një turizëm në rritje dhe një strategji zhvillimi afatgjatë, Shqipëria pritet të mbetet një ndër destinacionet më të preferuara për vizitorët nga Austria dhe më gjerë.