Shtip, arrestohet autori i vrasjes së 25-vjeçarit të huaj në një lokal në shesh

Është arrestuar autori i vrasjes së 25-vjeçarit E.O., shtetas i huaj, i cili u qëllua për vdekje mbrëmë në lokalin “Vami” në sheshin “Liria” në Shtip, njoftuan nga Prokuroria Publike.

“Prokuroria Themelore Publike Shtip është njoftuar nga MPB se personi që ishte në kërkim në lidhje me incidentin e armatosur të mbrëmshëm është arrestuar. Është gjetur edhe arma e përdorur. Gjatë ditës do të ndiqet procedura përkatëse”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më herët, TV24 raportoi se viktima, 25-vjeçari E.O., ishte sjellë në Spitalin Klinik të Shtipit pa shenja jete dhe me disa plagë nga arma e zjarrit. Mjekët kanë tentuar ta reanimojnë, por përpjekjet kanë qenë të pasuksesshme.

Nga Prokuroria Themelore Publike në Shtip bënë të ditur se gjatë natës, një prokuror ka kryer këqyrje në vendin e ngjarjes në lokalin ku ndodhi vrasja me armë zjarri.

Autori dhe viktima janë identifikuar dhe të dy janë shtetas të huaj. Në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja dhe gjurmë të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për autopsi. Janë siguruar dhe shqyrtuar pamjet nga kamerat e sigurisë.

Related Articles

Back to top button
Verified by MonsterInsights