Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

“Shuplakë” për Moskën nga Versaja: BE-ja t’i japë fund varësisë nga Rusia sa më shpejt të jetë e mundur

1 min read

Udhëheqësit e BE-së nënshkruan sot në Versajë një Deklaratë që rikonfirmon marrëveshjen për t’i dhënë fund varësisë nga importet e gazit, naftës dhe qymyrit rus sa më shpejt të jetë e mundur.

Kjo nëpërmjet reduktimit të varësisë nga lëndët djegëse fosile, diversifikimit të stoqeve, duke përfshirë përdorimin e gazit natyror të lëngshëm dhe zhvillimin e tregjeve të biogazit dhe hidrogjenit për Evropën.

Deklarata e Versajës bën thirrje për përshpejtimin e zhvillimit të burimeve të rinovueshme të energjisë, përmirësimin e ndërlidhjes së rrjeteve evropiane të gazit dhe energjisë elektrike, forcimin e planifikimit të furnizimit emergjent dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë.

Shtetet anëtare të BE-së janë zotuar të vazhdojnë të punojnë për të siguruar nivele të mjaftueshme të gazit të depozituar dhe për të vendosur operacione të koordinuara tarifimi, për të optimizuar funksionimin e tregut të energjisë elektrike, për investime të drejtpërdrejta në sistemet energjetike dhe për të përmirësuar lidhjen energjetike me fqinjët e afërt.

Udhëheqësit e BE-së i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian që të paraqesë një plan deri në fund të marsit për të garantuar sigurinë e furnizimit dhe çmime të përballueshme të energjisë për sezonin e ardhshëm të dimrit.