Sofje, Begaj: Shqipëria model rajonal në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në forumin “The Aqaba Process Balkans Forum III” që u mbajt në Sofje të Bullgarisë, ku rikonfirmoi angazhimin e Shqipërisë si pjesë aktive e Aleancës Globale dhe platformave ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj theksoi se terrorizmi është një kërcënim që nuk njeh kufij, fe apo etni, dhe se përballja me të kërkon bashkëpunim të gjerë rajonal dhe ndërkombëtar.
“Shqipëria është një partner i besueshëm rajonal dhe global, me një kontribut të qenësishëm në luftën kundër ekstremizmit dhe terrorizmit”, u shpreh Presidenti Begaj, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë së përbashkët për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Ai prezantoi përpara pjesëmarrësve strategjitë shqiptare në këtë fushë, duke vlerësuar si histori suksesi përvojën e vendit në parandalimin e akteve terroriste.
Begaj veçoi Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm si një model ekspertize rajonale, ndërsa theksoi se praktikat e ndjekura nga Shqipëria për parandalimin, rehabilitimin dhe riintegrimin janë njohur ndërkombëtarisht si praktika të mira.
Presidenti bëri të ditur se këto përvoja janë ndarë edhe me vendet partnere në rajon dhe më gjerë, ndërsa vlerësoi samitin si një mundësi për ndërtimin e një qasjeje të integruar dhe proaktive në luftën kundër kërcënimeve globale.
Ky samit u bashkëorganizua nga mbreti i Jordanisë, Abdullah II, dhe presidenti bullgar, Rumen Radev, si pjesë e nismës “The Aqaba Process”, që synon forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për sigurinë dhe kundër radikalizmit.