SPAK zbardh sulmin kibernetik: Dy të arrestuar, hetimet zbulojnë tentativën për akses në dosje hetimore

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur një ndërhyrje të paligjshme në adresat e e-mail-eve të disa prokurorëve, duke arrestuar brenda 24 orëve dy persona të dyshuar. Njëri prej tyre ka kryer sulmin kibernetik, ndërsa tjetri ka shpërndarë informacionin e marrë.
Pavarësisht tentativave për të depërtuar në sistemin e brendshëm të SPAK dhe në e-mail-in e Drejtuesit të Prokurorisë, Altin Dumani, sulmi ka dështuar. Autoritetet kanë sekuestruar pajisjet e përdorura dhe skedarët e shkarkuar, ndërsa janë marrë masa për forcimin e sigurisë kibernetike.
SPAK ka nisur hetime për të zbuluar nëse pas kësaj ndërhyrjeje qëndron një grup i strukturuar kriminal. Deri tani nuk ka prova që të arrestuarit kanë pasur ndihmë nga brenda institucionit. Hetimet vijojnë për të garantuar mbrojtjen e dosjeve dhe sigurinë e të dhënave.