Kosova vazhdon me paraqitje dinjitoze, barazon me Danimarkën

vull

Kombëtarja e Kosovës ka dhuruar një tjetër paraqitje të shkëlqyeshme para tifozëve të vet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Djelmoshat e drejtuar nga Bernard Challandes kanë barazuar 2:2, të enjten në mbrëmje, në miqësoren kundër Danimarkës, kombëtare kjo e renditur në pozitën e 10-të në renditjen e FIFA-s.

Kësisoj, Dardanët kanë dëshmuar se suksesi i arritur në Ligën D të Ligës së Kombeve nuk ishte i rastësishëm, por rezultat i punës dhe përkushtimit në fushë nga të gjithë futbollistët dhe stafi. Kombëtarja jonë u tregua rivale e barabartë me danezët, madje në disa periudha të lojës shumë më e mirë, por në fund përvoja e mysafirëve e bëri të veten dhe gjithçka u mbyll në paqe, 2:2.

Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe e administroi qarkullimin e topit, duke mos lejuar për asnjë moment të rrezikohej porta e Arijanet Muriçit, por edhe duke qenë e rrezikshme me aksione të shpejta. Mundësia e parë iu dha Arbër Zenelit në minutën e 7-të, por gjuajtjen e tij e priti portieri Kasper Schmeichel.

Një tjetër rast i mirë ishte ai i minutës së 28-të, kur Rashica e gjeti mjaft mirë Vedat Muriqin, por ky gjuajti pranë portës. Në minutën e 39-të danezët kërcënuan portën tonë, por Jorgensen edhe pse doli i vetëm para portierit Muriçi gjuajti plogësht.

Ndërkohë, ishte minuta e 41-të kur Kosova arriti t’i zhbllokoi shifrat e ndeshjes. Halimi harkoi nga ndërprerja në zonë, ku më së larti u shkëput Amir Rrahmani, i cili me gjuajtje me kokë e çoi topin në rrjetë, duke krijuar trans në tribuna. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë e Dardanëve, derisa në pjesën e dytë trajneri danez përfshiu në lojë edhe katër lojtarë titullar në kërkim të golit të barazimit.

E barazimi erdhi në minutën e 62-të, kur Herolind Shala rrëshqiti në zonë dhe padashje e rrëzoi edhe futbollistin Braithwaite, për çka gjyqtari turk Ali Palabiyik tregoi në pikën e bardhë.

I saktë nga penalltia ishte Cristian Eriksen për 1:1. Mirëpo, ky gol nuk i dëshpëroi futbollistët tanë, të cilët edhe falë mbështetjes së fuqishme të tifozëve arritën që ta rikthejnë epërsinë pas vetëm tre minutash, kur pas një aksioni të shkëlqyeshëm të Zenelit dhe Celinës, ky i fundit e detyroi Kasper Schmeichel që për të dytën herë ta nxjerrë topin nga rrjeta e portës së tij për shifrat 2:1.

Këtë epërsi djelmoshat tanë e ruajtën mjaft mirë deri në minutat e fundit, kur pas një aksioni që nuk premtonte shumë Danimarka arriti të barazojë rezultatin me golin e shënuar nga Hojbjerg, duke vendosur rezultatin përfundimtar të kësaj miqësoreje, 2:2.

Gjithsesi, ky barazim i jep motiv shtesë ekipit tonë kombëtar para ndeshjes së parë kualifikuese për Euro 2020 kundër Bullgarisë, që zhvillohet të hënën në mbrëmje në të njëjtin stadium.

 

Next Post

Tedi Blushi: Shpifje të zëdhënësit të UDB, Baton Haxhiu kundër Presidentit

Tedi Blushi, Zëdhënës i Presidentit Ilir Meta, ka reaguar sot ndaj deklaratave të gazetarit Baton Haxhiu kundër kreut të shtetit. Në një reagim në rrjetet sociale, duke i kujtuar bashkëpunimin me agjentë dhe drejtues UDB-së Jugosllave, Blushi shprehet se shpifjet ndaj kreut të shtetit shqiptar janë të qëllimshme. “Shpifjet e […]

Subscribe US Now

%d bloggers like this: