Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Reagon KF “Shkëndija”: Ofendimet nga “vëllezërit” nga Skupi ndaj nënave dhe motrave tona nuk i kanë bërë aspak nder flamujve kombëtar

4 min read

KF Shkëndija shpreh indinjatë dhe njofton opinionin e gjerë se në ndeshjen e sotme në Çair u zhvillua gjithçka tjetër përveç futbollit.


Që sot nuk do të zhvillohet futboll në Shkup ishte e qartë që nga dita e hënë kur për arbitër të ndeshjes u delegua Dejan Jakimovski. Delegimi i këtij arbitri për ndeshjen e sotme rezultoi ashtu siç e parapamë, si i mirëpërgatitur nga kuzhina të ndryshme edhe të niveleve më të larta, të cilat siç duket kanë vendosur që edhe këtë vit të dëmtojnë Shkëndijën. KF Shkëndija menjëherë pas shpalljes së delegimit të këtij arbitri, ditën e hënë, dorëzoi kërkesë deri te FFM-ja që i njëjti të tërhiqet si arbitër kryesor dhe në vend të tij të caktohet ndonjë arbitër me profesionalizëm të dëshmuar. Por Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut jo vetëm që nuk e miratoi kërkesën, por edhe nuk ktheu përgjigje zyrtare ndaj së njëjtës.

Dejan Jakimovski historikisht e ka dëmtuar skuadrën tonë gjatë ndarjes së drejtësisë. KF Shkëndija gjatë viteve të fundit disa herë ka bërë kërkesë që i lartëpërmenduri të mos delegohet në ndeshjet e Shkëndijës për shkak të qasjes së tij subjektive kundër KF Shkëndijës. Por fatkeqësisht federata në vend se të merr parasysh këto përvoja të mëhershme në dëm të klubit tonë, e delegon Jakimovskin pikërisht në këtë ndeshje të rëndësishme.
Përgjatë gjithë ndeshjes së sotme, Jakimovski ndau drejtësinë në mënyrë selektive duke sinjalizuar ndërhyrje të paqena të palejueshme, me tendencë të qartë që ai të ndikojë në epilogun e ndeshjes.
Kjo nuk është hera e parë që gjatë këtij sezoni jemi dëmtuar nga arbitrat, por asnjëherë nuk ka qenë politikë e Shkëndijës që të merret me reagime të këtij lloji, përkundrazi gjithnjë kemi qenë të koncentruar në ndërtimin e kapaciteteve sportive dhe në ndërtimin e një skuadre të re që do të shënojë suksese në kompeticionet evropiane.

KF Shkëndija poashtu është e zhgënjyer nga organizatori i kësaj ndeshje, respektivisht KF Shkupi. Gjatë gjithë 90 minutave janë hudhur mbi njëqind shishe dhe gjësende tjera të forta në drejtim të lojtarëve tanë dhe stafit të KF Shkëndija, ku në disa raste e pësuan më keq disa lojtarë tanë. Skenat të cilat i përjetuam sot si klub nuk paraqesin vlera sportive apo tjera, të cilat të gjithë ne si klube i promovojmë por edhe duhet t’i kultivojmë, konform objektivave që i kemi.

Në momente të caktuara pas epërsisë së Shkëndijës, publiku vendas futej në fushë, ndërsa nga tribunat nuk kishin të ndalur hedhja e gjësendeve të forta dhe ofendimet. Edhe pse e gjithë kjo ndodhte përpara syve të arbitrit, ai lejonte vazhdimin dhe zhvillimin e ndeshjes.

Megjithëse KF Shkupi para ca ditësh deklaroi se e “mirëpret” publikun tetovar për këtë ndeshje në një “stadium evropian”, ajo që e pamë sot dëshmoi se nuk kishte kushte minimale as për sigurinë e lojtarëve, stafit dhe drejtuesve të Shkëndijës, e lëre më kushte për publikun tetovar, për çka organizatori duhet paraprakisht të garantojë siguri të nivelit më të lartë që parandalon incidente të ndryshme të mundshme, duke marrë parasysh edhe ato që mund të sjellin pasoja fatale!

Vëllezërit tanë nga Shkupi, me sjelljen e tyre krejtësisht të pahijshme, me ofendimet dhe sharjet e nënave dhe motrave tona nuk i kanë bërë aspak nder atyre dy flamujve kombëtar që aq bukur dukeshin në ballë të tifo-grupit të tyre, veprimet e tyre aspak nuk përkojnë me porosinë që bën ky flamur!

Kërkojmë që kjo të jetë hera e fundit që do të shohim skena të këtilla në stadiume, dhe apelojmë te Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut që të penalizojë aktet e turpshme në fushat e futbollit, ndërsa në ndeshjet e rëndësishme siç ishte kjo e sotmja të përkujdesen që delegimi i arbitrave dhe organizimi i ndeshjeve të jenë në nivel që garanton kushtet adekuate dhe aspektin garues të lojës së futbollit. Ndërsa në raste të kundërvajtjeve të merren masat adekuate ndëshkuese.