Nën organizim të “Box klub Shkëndija No Limit” dhe promotorit shqiptar që vepron në Leverkuzen të Gjermanisë, Bekim Hoxha, në sheshin “Iliria“ në Tetovë, më 27 korrik 2019, u mbajt turneu ndërkombëtar i boksit, nata e kampionëve UBF. Në kuadër të këtij turneu u zhvilluan gjithsej 8 lufta amatore dhe 7 profesionale me pjesëmarrje të boksierëve nga vende të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës.
Studenti i vitit të dytë të Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Tetovës, boksieri Lulzim Ismaili, në këtë turne u ballafaqua me boksierin serb Mihajllo Rajiq. Ai, në këtë duel arriti të shënojë fitoren e radhës në boksin profesionist që në raundin e parë, dhe me këtë e shënoi fitoren e tretë me radhë në karrierën e tij. Ai, i falënderoi të gjithë qytetarët e Tetovës për mbështetjen.
“Fillimisht dua të falënderoj trajnerin tim Halim Abazi bashkë me promotorin z. Bekim Hoxha për mbështetjen e vazhdueshme që më kanë dhënë gjatë gjithë përgatitjeve të mia. Sigurisht që për fitoret dhe sukseset e mia meritat janë edhe të atyre. Njëkohësisht dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë tetovarët dhe të gjithë shqiptarët që erdhën e më përkrahën në këtë duel. Kjo është fitorja ime e tretë me radhë në karrierë dhe shpresoj se një ditë do ta arrij edhe qëllimin kryesor që të shpallem kampion bote”, tha boksieri Lulzim Ismaili.
Studenti Lulzim Ismaili me sukseset e tij në boksin profesionist i shtohet listës së studentëve të Fakultetit të Kulturës Fizike, të cilët kanë lënë gjurmë në disiplina të ndryshme sportive jo vetëm në nivele shtetërore por edhe në ato ndërkombëtare.