Kohanews

Ke Çfarë Lexon!

Trajneri Artim Shaqiri: Ne do të luajmë për fitore

2 min read

Shkëndija të enjten me fillim në orën 20:00 luan ndeshjen kthyese të raundit të dytë eliminator të UEFA Conference League, ndërsa në prag të kësaj ndeshje, para gazetarëve në konferencë për shtyp folën shefi i stafit teknik Artim Shaqiri dhe Bruno Dita.

Artim Shaqiri: “Kemi një epërsi nga ndeshja e parë, por kjo është ndeshje krejtësisht tjetër që e ka rëndësinë dhe peshën e saj. Ne jemi të përgatitur, e dimë vlerën e ndeshjes dhe tanimë e njohim edhe kundërshtarin. Shpresojmë që edhe tifozët do të jenë në numër të madh dhe do të jenë lojtari jonë i dymbëdhjetë në këtë ndeshje. Asgjë nuk është e lehtë, por ne duhet të dëshmojmë që fitorja në Letoni nuk ishte e rastësishme”.

Bruno Dita: “Ne arritëm fitore dhe rezultat pozitiv në fushën kundërshtare, por jam dakord me trajnerin kur thotë që nuk duhet ta mendojmë ndeshjen paraprake sepse nesër çdo gjë fillon nga fillimi. Ne duhet të bëjmë një ndeshje si ajo para një jave dhe në fund shpresoj të dalim fitimtarë dhe të kalojmë në raundin e tretë. E dimë që janë një ekip i mirë që krijon shumë raste, por ne kemi ndërmarrë gjithçka dhe shpresoj që edhe fati do të na buzëqesh, dhe me përkrahjen e Ballistëve besoj se do të arrijmë objektivin”.

Artim Shaqiri: “Ne kemi një epërsi nga fitorja 2:1 në Riga, por të gjitha ndeshjet nuk janë të njëjta. Të gjithë e dimë që goli i shënuar në terren mysafir nuk ka vlerë të shtuar si në vitet paraprake, andaj edhe e them që kjo ndeshje fillon nga zeroja. Ndryshimet taktike nuk do t’i zbulojmë, por e them që jemi përgatitur në maksimum për kundërshtarin, i dimë pikat e tyre të forta”.

Bruno Dita: “Atmosfera në skuadër është shumë e mirë, e kjo bazohet te rezultatet e fundit dhe te loja e mirë që e kemi zhvilluar. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme dhe besoj se do të dalim fitimtarë”.

Artim Shaqiri: “Çdo rezultat pozitiv që na kualifikon në raundin e tretë për ne është i mirëseardhur. Normalisht që ne do të luajmë për fitore”.

Bruno Dita: “Edhe për mua është i mirëseardhur çdo rezultat që na kualifikon më tutje”.