Strugë, Merko – përballet me dy procese gjyqësore në një ditë

Në Gjykatën Themelore të Strugës sot po vazhdojnë dy seanca gjyqësore ndaj kryetarit të komunës, Ramiz Merko. E para ka të bëjë me blerjen e një veture luksoze “Audi A6” në kundërshtim me parimet e ligjshmërisë dhe interesin publik, në kohën kur komuna kishte borxhe dhe llogari të bllokuar. Seanca rifilloi për shkak të ndërrimit të gjyqtarit dhe po zhvillohet me dëgjimin e dëshmitarëve dhe paraqitjen e provave. Sipas aktakuzës, Merko ka blerë katër automjete me vlerë rreth 114,000 euro, duke keqpërdorur pozitën zyrtare, për çka parashikohet dënim me burg nga një deri në katër vjet.
Pas kësaj seance, do të vijojë procesi tjetër gjyqësor që lidhet me vendosjen e një pllake përkujtimore në hyrje të godinës së komunës, në mars të vitit të kaluar. Prokuroria pretendon se kjo pllakë ka nxitur urrejtje dhe përçarje ndëretnike, duke shkelur nenin 27 të Ligjit për monumentet dhe pllakat përkujtimore. Merko përballet me masa të sigurisë, si marrja e pasaportës dhe detyrimi për t’u paraqitur një herë në javë në gjykatë.
Kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, ndodhet në “listën e zezë” të SHBA-ve për shkak të përfshirjes në korrupsion. Ai përballet me gjithsej nëntë akuza të ngritura për keqmenaxhim dhe abuzime në shërbimin publik.