Sulmet ndaj tifozëve të K.F Bashkimit, reagon deputeti i ASH-së Ilmi Aziri

1 min read
Jemi të indinjuar dhe të brengosur nga rasti i ushtrimit të dhunës ndaj tifozëve të KF Bashkimi, Ilirëve, në lagjen Aerodrom në Shkup.
Prezenca e huliganëve dhe huliganizmit nëpër stadiume, e sidomos kur në fushë ndeshen dy klube të futbollit të etnive të ndryshme, është veprim që ka për qëllim destabilizimin dhe krijimin e ndjenjës së pasigurisë në vendin tonë.
Huliganët të cilët dje sulmuan tifozët e Bashkimit nuk ishin në stadium deri në momentin e sulmit, erdhën nga jashtë të maskuar e të pajisur me armë të ftohta, thika, gurë, si dhe shkopinj prej hekuri e metali.
Publikisht pyesim se cili ishte dhe është roli i policisë në këtë rast? Nga zyrtarët e KF Bashkimi kuptuam që ndeshja e futbollit sigurohej vetëm nga dy policë dhe niveli i sigurisë ishte zero.
Kërkojmë urgjentisht që Ministria e Punëve të Brendshme të zbulojë kryerësit e këtij sulmi si dhe të zbulohen motivet dhe arsyet e sulmit, ndërsa ndaj huliganëve të shqiptohen dënime për cënim të sigurisë dhe sulm të organizuar.
Tifozëve të lënduar u dëshirojmë shërim e rehabilitim të shpejtë.