TARAVARI I KISHTE KËRKUAR MICKOSKIT TA HEQË VLEN-IN DHE TA SJELLË BDI-në NË QEVERI?

Me dorëheqjen nga posti i ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari, një nga liderët e krahut të ndarë të Aleancës për Shqiptarët, zyrtarizoi vendimin për t’u larguar nga qeveria dhe për të kaluar në opozitë. Ky hap vjen si pasojë e përplasjeve brenda koalicionit VLEN, për shkak të kontakteve dhe takimeve të Taravarit me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti.
Sipas informacioneve të siguruara nga portali “Fokus”, Taravari i ka propozuar kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, që pjesa tjetër e VLEN-it të largohet nga qeveria dhe në vend të tyre të rikthehet BDI, me arsyetimin se kështu do të krijohej një qeverisje më e gjatë, më e qëndrueshme dhe më stabile.
Një funksionar i lartë qeveritar ka konfirmuar për “Fokus” se një takim i tillë është mbajtur dhe se propozimi i Taravarit ka qenë i qartë. Megjithatë, Mickoski thuhet ta ketë refuzuar këtë ide për shkak të premtimit elektoral se nuk do të bashkëqeverisë me një BDI të pareformuar, si dhe për të ruajtur korrektësinë ndaj partnerëve aktualë të koalicionit VLEN – Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi.
Nga ana tjetër, Taravari e ka mohuar kategorikisht këtë pretendim, duke deklaruar se “asnjëherë nuk i kam propozuar Mickoskit të bëjë qeveri me BDI-në”, si dhe ka theksuar se krahu i tij i Aleancës nuk do të bëhet pjesë e Frontit Evropian të udhëhequr nga integristët.