Tetova thellon bashkëpunimin me Tirolin për përgatitjen e zjarrfikësve të rinj vullnetarë

Në Komunën e Tetovës, së bashku me komandantin e Njësisë Kundër Zjarrit dhe Trajtimit të Zjarreve (NJKTZ), Avni Ameti, u zhvillua një takim i rëndësishëm me koordinatorët e projektit për krijimin e njësive vullnetare të zjarrfikësve, Hans Peap dhe Logar Peter nga Tiroli i Austrisë.
Në këtë takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe përgatitjen e gjeneratës së re të zjarrfikësve. Fillimisht, ekspertët austriakë do të angazhohen në trajnimin e vullnetarëve të rinj të NJKTZ në Tetovë, duke garantuar profesionalizëm dhe motivim të lartë për t’u bërë pjesë e njësisë në të ardhmen.
Delegacioni nga Tiroli u zotua gjithashtu se përveç trajnimeve, do të ofrojë ndihmë konkrete me pajisje dhe mjete të nevojshme për të rritur kapacitetin dhe profesionalizmin e NJKTZ-së në Tetovë.
Nga ana tjetër, komuna e Tetovës shprehu përkushtimin e saj të plotë për të siguruar mbështetje institucionale dhe logjistike për zjarrfikësit që deri më tani kanë luajtur një rol kyç në shpëtimin e jetëve dhe pronave të qytetarëve të saj.